‘Top Channel’: Greqia financon portale në Shqipëri
Televizioni “Top Channel” ka mësuar se Greqia financon me fonde sekrete portale, medie dhe gazetarë në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit.
Ky lajm është duke u diskutuar nga burime që tregojnë detajet e largimit të ministrit të Jashtëm, Niko Kotzias nga Qeveria.
Pas dorëheqjes flitet edhe për një skandal financiar, pasi sherri mes tij dhe ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos ka ndodhur për shkak të parave që financohen në Shqipëri për mediet, gazetarë, zyrtarë të minoritetit apo dhe ndërtime në jug.
Një shumë prej 1 milion euro është dhënë në muajin tetor për disa portale edhe në Shqipëri, siç mëson “Top Channel”.
45 milionë euro është shuma të cilën Kamenos ia faturon Kotziasit si e shpenzuar në mënyrë abuzive nga ai që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke.
Kotziasi ka deklaruar se paratë e buxhetit sekret të ministrisë, kryesisht financonin Kishën ortodokse, por edhe aktivitete të ndryshme në rajon, por pa dhënë detaje.
Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë kanë bërë me dije se një pjese e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në medie dhe organizata të ndryshme në rajon, për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni.
Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo për financimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri.
Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.
Burime të sigurta të “TCh”-së kanë thënë se janë financuar edhe programe të ndryshme për studime master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë.
Në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.
Janë qindra mijëra euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jo zyrtarisht nëpër korridoret e ministrisë së Jashtme greke, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.
Madje, janë disa portale që operojnë në Shqipëri, me domain “.al”, por që financohen nga Athina zyrtare.
“Top Channel” ka mësuar se ekziston një listë e detajuar e kodeve dhe llogarive, por edhe emrat e pritësve e këtyre parave, e cila shoqëron kërkesën prej nëntë faqesh të dorëheqjes, që ministri i Jashtëm ia ka dorëzuar kryeministrit grek, Nikolas Tsipras.