Topalli: Fitorja ndaj ‘Niklit’, motiv për derbin me Llapin
Ballkani i Ismet Munishit mori tri pikë ndaj Feronikelit në fundjavë. Të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe nesër (e mërkurë) ndaj Llapit. Sulmuesi Jetmir Topalli nuk e përmendi fitoren, por ka lënë të kuptohet se liderët e elitës kërkojnë maksimumin. Përkrahje maksimale nga tifozët ka kërkuar edhe klubi i Ballkanit, kurse Llapit i ka premtuar mikpritje në Suharekë.
Skuadra e Ballkanit është duke e kryesuar IPKO Superligën e Kosovës në futboll me 29 pikë të grumbulluara. Kjo skuadër ka shkëlqyer në trembëdhjetë xhirot e para dhe me meritë të plotë është lidere, derisa në ndeshjen e fundjavës arriti të triumfojë ndaj kampionit në fuqi të Superligës, Feronikelit (0-2).
Sulmuesi Jetmir Topalli ka thënë për “Epokën e re” se për këtë ndeshje ishin përgatitur maksimalisht dhe me një angazhim nga të gjithë futbollistët është arritur fitorja. “Për fitoren ndaj Feronikelit ishim përgatitur maksimalisht dhe me angazhimin e pashoq të secilit prej lojtarëve arritëm të fitojmë”, ka deklaruar Topalli.
Ballkani nga trembëdhjetë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar nëntë fitore, dy barazime dhe dy humbje. Ndeshjen e radhës ky klub e zhvillon me Llapin e Tahir Batatinës, ku në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Suharekë kishin luajtur baras 0-0.
Sulmuesi i talentuar, Jetmir Topalli, foli edhe për derbin ndaj Llapit, duke paralajmëruar se tri pikët e fituara në Drenas janë një motiv i madh për ndeshjen e radhës, e cila zhvillohet të mërkurën në Suharekë. “Fitorja ndaj Feronikelit na ndihmon dhe motivon edhe më shumë për ndeshjet që kanë mbetur në sezonin vjeshtor, përfshirë edhe derbin e radhës ndaj Llapit. Ne do të hyjmë në fushë të përgatitur maksimalisht dhe do të angazhohemi që t’i përmbushim detyrat e trajnerit Ismet Munishi, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Topalli.
Për derbin ndaj Llapit edhe klubi i Ballkanit nëpërmjet një shkrimi në faqen zyrtare në “Facebook” ka kërkuar përkrahje. “Klubi ka nevojë për përkrahje morale çdoherë, sidomos pas këtyre rezultateve pozitive. Edhe pse jemi lider në Superligë, tani kemi nevojë edhe më shumë për mbështetjen e publikut. Ju ftojmë që edhe këtë herë t’i mbështesim me duartrokitje ‘luanët’ tanë. Ndihemi krenar që vetëm pas vitit të dytë në elitën e futbollit kemi kthyer vëmendjen e gjithë Kosovës në Suharekë. Na pret një supersfidë me klubin me emër shumë të madh në Kosovë, Llapin, të cilin e mirëpresim në shtëpinë tonë”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Ballkanit. Përderisa Ballkani pozicionohet në pozitën e parë, Llapi është në vendin e pestë me 23 pikë të grumbulluara.
/Veton ZYMBERI/