Topalli, pas transferimit në Turqi: Është dashur shumë sakrificë për të arritur deri këtu
Jetmir Topalli, pasi nënshkroi kontratë trevjeçare me skuadrën e Yeni Malatyaspor, ka thënë se është dashur shumë mund e sakrificë për të arritur deri në këtë nivel.
Futbollisti Jetmir Topalli ka bërë hapin më të madh dhe më të rëndësishëm në karrierën futbollistike, pasi të enjten e ka zyrtarizuar kalimin nga Ballkani në skuadrën e njohur turke Yeni Malatyaspor. Një ditë pas kalimit në klubin turk, Topalli nëpërmjet një letre të gjatë u është drejtuar të gjithë atyre që ndihmuan në zhvillimin e tij si futbollist.
“Siç edhe jeni informuar në media, karriera ime personale ka marrë një kahe tjetër të jashtëzakonshme për mua, duke arritur kontratë profesionale për tre vjetët e ardhshëm me skuadrën time të re të Superligës turke, Yeni Malatyaspor. “Për të arritur deri këtu më është dashur shumë punë e sakrificë, përkushtim dhe përkrahje, të cilët janë të domosdoshme për sukses, sidomos nga njerëzit që i do dhe të duan. Pa dashur ta harroj askënd, dua t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për formimin tim profesional”, ka thënë Topalli.
“Falënderoj Zotin e madhërishëm që për këto vite më dha shëndetin, më ruajti nga lëndimet dhe ma lehtësoi rrugën që të jem ky që jam tani. Falënderim i veçantë për familjen time që gjithmonë ishte krahu im i djathtë. Faleminderit qytetit të Kaçanikut, shkollës ‘New Star’, ku i fillova hapat e parë të futbollit! Faleminderit shkollës së futbollit ‘Besëlidhja’ që më formoi dhe përkrahi gjithmonë! Faleminderit skuadrës së 2 Korrikut dhe Vushtrrisë! Faleminderit Ballkanit tim që do ta kem në zemër derisa të marrë frymë, skuadër që tashmë ka zënë vend të pashlyeshëm në zemrën time së bashku me tifozët fantastikë ‘Xhebsat’! Faleminderit shokë dhe bashkëlojtarë! Faleminderit Fakultetit të Kulturës Fizike, të gjithë profesorëve që më përgatitën dhe afirmuan në aspektin intelektual. Gjatë këtyre viteve kam kaluar e punuar me disa trajnerë që më kanë përgatitur që të jem ky që jam. Faleminderit të gjithëve për punën dhe mundin që keni bërë për mua! U jam mirënjohës gjithë jetën presidentit të Ballkanit, Arsim Kabashi dhe trajnerit Ismet Munishi, që besuan në mua dhe ishin jashtëzakonisht korrektë në çdo sekondë ndaj meje dhe më lejuan të kaloj në kampionatin turk, edhe pse kisha edhe një vit marrëveshje me klubin. Falënderim i veçantë shkon për drejtorin e shkollës ‘Besëlidhja’, Driton Bajrami, drejtuesit dhe trajnerët e shkollës, që ishin krahu im i fortë deri tani dhe më drejtuan e më mundësuan të arrij deri këtu. Gjithashtu, falënderoj menaxherin tim Rrahman Kice që bëri të pamundurën me kompaninë ‘Kia-Sportmanegement’ që të depërtojë në futbollin evropian dhe të kem një kontratë profesionale e të favorshme për mua”, ka përfunduar letra e Topallit. Sulmuesi i talentuar ka marrë shumë urime për transferimin e tij nga ish-klubet e tij, por edhe nga opinionin sportdashës.
(Veton ZYMBERI)