Topalli: Takimi im dhe Gani Vlahnes me peshkaqenin në Karpen të Kavajës
Përshkrim i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli
Para dy ditësh isha në Karpen, një fshat turistik jo larg Kavajës. Plazhi është i fshehur dhe tërësisht i egër. Nuk ka infrastrukturë turistike, nuk ka rrugë dhe është i vështirë për tu arritur, Zakonisht është i zbrazët pa asnjë pushtues.
Me mua ishte miku im Gani Vlana. Ganiu është ish i burgosur politik. E mora me vete për t’i treguar vendndodhjen e Plazhit Sekret i cili për mua paraqet një bukuri të rrallë natyrore. Hymë në ujë pak kohë para perëndimit të diellit. Qielli kishte filluar të skuqej dhe i jepte gjithë hapësirës një paje magjike.
Pasi notuam një kohë u nisëm drejt bregut të detit. Ishim duke ecur në këmbë nëpër ujë për të dalur në breg të detit. Gani papritur tha «shiko, shiko këndej». Kur unë shikova pash vetëm Pendën e kurrizit të peshkaqenit (Pjesa e dalur mbi kurriz).
Ajo kishte një ngjyrë mes të përhimëtës së mbyllur dhe të zezës dhe me një madhësi sa gjysma e trekëndëshit që përdoret si shenjë në komunikacion kur makinat e vendosin mbrapa me rastin e ndonjë prishjeje. Unë pashë vetëm kthesën që mori peshkaqeni papritur në drejtim të thellësisë së detit dhe lëvizjen e ujit.
Ganiu nga që e kishte pa para meje më tha se ishte duke ardhur në drejtimin tonë. Kur ai u kthye në drejtim të thellësisë nuk ishte më larg se tre ose katër metrash prej nesh. Nuk arrita ta shoh të tërin por nga përshkrimi i Ganiut dhe madhësia e Pendës mendoj se duhet të ketë qen 1.5 metra i gjatë.
Ishte një moment interesant. Nuk kisha paramenduar ndonjë herë që do të kisha rast në jetën time të isha kaq afër një peshkaqeni. Nuk ndjeva frikë. Kjo mbase edhe për faktin se kureshtja dhe gëzimi që pash peshkaqenin dhe e përjetova kaq afër mbizotëruan frikën.
Fundja numri i njerëzve që sulmohen nga peshkaqenët është shumë i vogël dhe numri i peshkaqenëve të vrarë nga njerëzit shumë i madhe. Këtu nënkuptohet se kush është vërtetë kafsha e rrezikshme. Më duket një përjetim interesant të cilin desha ta ndaj me miqtë e mi.
(Autori, Faton Topalli këtë ngjarje të tijën e ka plasuar në llogarinë e vet në “Facdbook”).