Toronto bën ligjin në NBA
Fitorja e 12-të në NBA për skuadrën e Torontos në 13 takime të luajtura, një start i shkëlqyer i sezonit për ekipin kanadez, që hedh kandidaturën për titullin kampion këtë sezon.
Toronto mposhti 128-112 New York, takim i komanduar nga vendasit, që në pjesën e dytë diktuan në fushë, duke e merituar fitoren. Për kanadezët u dallua Siakam me 23 pikë, ndërkohë që 62 pikë u realizuan nga lojtarët e stolit.
San Antonio mundi 96-89 Houston, një përballje mes dy ekipesh pretendente në Perëndim, me Spurs që ishin gjatë gjithë kohës në avantazh. Aldridge me 27 pikë bëri diferencën në fushë për San Antonion, që korri fitoren e 7-të në kampionat.
Rikthehet te fitorja skuadra e Golden State, që mundi 116-100 Brooklyn. Edhe pse mungoi Curry, i dëmtuar, skuadra e Warriors pati epërsi në fushë, me Durant që realizoi 28 pikë e 11 asistime, mbështetur edhe nga Cook me 27 pikë e Thompson me 24. Fiton edhe skuadra e Lakersave, që mundi 101-86 Sacramenton jashtë fushe, ndeshje ku epërsia e ekipit kalifornian ishte e ndjeshme, me LeBron James që realizoi 25 pikë, raporton “Telesport”.
Koha shtesë ka rezultuar fatale për skuadrën e Milwaukee, surprizën e këtij sezoni, që u mund 128-126 nga Clippersat, një ndeshje me shumë emocione e rivalitet. Harrell me 26 pikë ishte shënuesi më i mirë për Clippers, duke i bërë të pavlefshme 27 pikët e 18 rebaund të Antetokounmpo për miqtë.
Fitore “in extremis” korri ekipi i Chicago, që mundi 99-98 nënkampionët e Cleveland. Këta të fundit tentuan surprizën, por pa sukses, ndërkohë që për Bulls u dallua LaVine me 24 pikë. Ekipi i Dallas, falë 22 pikëve të Doncic dhe 21 të Barea, mposhti 111-96 Oklahomën, duke ngjitur shkallët në renditje.
Rezultatet
Toronto – New York 128-112
Clippers – Milwaukee 128-126
New Orleans – Phoenix 119-99
Chicago – Cleveland 99-98
Memphis – Philadelphia 112-106
Miami – Washington 110-116
Golden State – Brooklyn 116-100
San Antonio – Houston 96-89
Dallas – Oklahoma 111-96
Sacramento – Lakers 86-101