Toronto “leksion” Clippersave, triumfojnë Houstoni dhe Spurs
Tri ndeshje të luajtura në NBA, por në fushë kanë zbritur disa nga ekipet pretendente për titull.
Toronto ka fituar 123-99 ndaj Clippers, përballja e dy prej ekipeve kryesuese në Konferencat përkatëse, ndeshje e luajtur në Los Anxhelos. Një ndeshje e mirë e skuadrës kanadeze, që u shkëput që në pjesën e parë, për të thelluar edhe më shumë shifrat në vijim, sfidë ku për miqtë u dalluan Ibaka me 25 pikë e Lowry me 21 (50 pikë u realizuan nga lojtarët e stolit).
Rikthehet te fitorja ekipi i Houston, që mundi 111-104 Portland, ndeshje me rivalitet , fituar nga teksanët vetëm në periodën e fundit. Harden relizoi 29 pikë, më i miri në fushë, mbështetur edhe nga veteran Chris Paul, që realizoi një “triple double” (11 pikë, 11 rebound e 10 asist). Fiton edhe skuadra e San Antonio, që falë 24 pikëve e 11 rebound të Forbes, mundi 111-86 Phoenix, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Spurs, që i largohen fundit të renditjes. /Telesport/
Rezultatet
Houston – Portland 111-104
San Antonio – Phoenix 111-86
Clippers – Toronto 99-123