Torres: SHBA s’ka mik më të madh në Evropë Juglindore, Kosova s’duhet të ketë aleat më të madh në botë se SHBA-në
Moszgjidhja e problemit me Serbinë, po vazhdon t’i shkaktojë kokëçarje Kosovës edhe pas 16 vite pas pavarësisë. Ky përvjetor po e gjen Kosovën me raporte të acaruara me SHBA-në dhe me shqetësime të mëdha për aspektin e sigurisë. Mosdëgjueshmëria e Kurtit për dinarin ka irrituar Departamentin e Shtetit, të cilët të shqetësuar nga një eskalim i mundshëm po kërkojnë që një vendim i tillë të shtyhet. Lidhur me këtë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një konferencë për media ka konfirmuar që aleanca SHBA-Kosovë është dëmtuar për shkak të çështjes së dinarit dhe ka thënë se nuk është e vërtetë që gjithçka është në rregull në raportin SHBA-Kosovë siç ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Lidhur me raportin Kosovë-SHBA dhe këto zhvillime, kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, ka folur një intervistë ekskluzive për Gazetën Express duke dhënë një porosi sa i përket raportit në mes të SHBA-së dhe Kosovës.
Torres për Express ka thënë SHBA-ja s’ka vend mik më të madh se Kosova në Evropë Juglindore dhe se Kosova s’duhet të ketë mik më të madh në botë se Amerika.
Ai ka thënë se është tepër e rëndësishëm që SHBA të mbështes dhe qëndrojë me Kosovën dhe popullin e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë mik më të madh në Evropën Juglindore se Kosova dhe Kosova nuk duhet të ketë mik më të madh në botë se Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të mbështesim dhe të qëndrojmë me Kosovën dhe afro dy milionë njerëz që janë krenarë ta quajnë atë shtëpi”, ka thënë Torres.
Duke folur për raportet që SHBA ka me Kosovën dhe Serbinë, Torres ka thënë se Kosova është shtet aleat i palëkundur i Perëndimit, ndërkohë që Serbia është vetëm një satelit në orbitën e Rusisë i cili po bëhet çdo ditë e më autokratik.
“Kosova po bëhet më demokratike, jo më pak, ndërsa Serbia po bëhet më autokratike, jo më pak. Kosova është aleate e palëkundur me Perëndimin, ndërsa Serbia është në thelb një satelit në orbitën e Rusisë”, ka thënë Torres.
Duke folur për kërkesën e Kosovës për të blerë armatim nga SHBA-ja, Torres ka thënë se e përkrah një kërkesë të tillë. Ai ka theksuar se shitja e Javelin në Kosovë do të rris edhe më shumë ndaljen e rrezikut nga një sulm i Serbisë, duke e bërë kufirin kështu më të sigurt.Torres thotë se kjo është në interesin e SHBA-së dhe të Kosovës.
“Unë mbështes kërkesën e Kosovës për raketa Javelin, të cilat janë me rreze të shkurtër, të lëvizshme nga njeriu dhe të dizajnuara për t’u mbrojtur nga sulmet e blinduara. Qëllimi i tyre i vetëm është kundër armatimit, jo kundër personelit. Shitja e Javelin në Kosovë do të rrisë më tej frenimin ndaj rrezikut të një sulmi serb, duke stabilizuar kështu kufirin. Kjo është në interesin e Amerikës dhe të Kosovës”, ka thënë Torres.