Totaj: Dështuan në zbatimin e Pakos emergjente, u braktis ekonomia e vendit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka thënë se si rezultat i keqmenaxhimit të Qeverisë së kaluar, Kosova duhet të jetë e gatshme t’i ndajë 1.5 miliardë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
Ai tutje ka shtuar se “pakoja për rimëkëmbjen e ekonomisë e Qeverisë Hoti, të mos mbetet vetëm në letër, e me efekt negativ siç ka ndodhur me Pakon emergjente të propozuar nga Qeveria Kurti”.
Totaj në një konferencë për media ka thënë se Qeveria Hoti është vazhdimësi e ish-Qeverisë Kurti.
“Shteti i Kosovës dhe ekonomia e saj, janë buzë greminës, Qeveria Kurti dhe një pjesë e madhe e Qeverisë Hoti, sa ishin duke qeverisur së bashku, e braktisën sektorin privat duke rrezikuar stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Kjo braktisje, rrezikon mirëqenien e mijëra qytetarëve të Kosovës, sipas Bankës Botërore, duke i zhytur rreth 150 mijë qytetare në varfëri. Në mungesë të një plani efikas e konkret, Qeveria Kurti e përbërë nga VV dhe LDK, ofruan një Pako emergjente financiare më të varfër në rajon – prej 179 milionë euro, ku në praktikë u realizua vetëm 30%”, ka deklaruar ai.
Ai ka ftuar Qeverinë e re që sa më parë t’i propozoj Kuvendit të Republikë së Kosovës, planin me masat konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
“Propozimi në thelb, duhet ta ketë interesin e të gjithë të punësuarve në sektorin privat, bizneset dhe të gjitha skemat sociale pa dallime. Sidomos duan përkrahje bizneset e mesme dhe të vogla që për shkak të masave kundër pandemisë, sot, rrezikojnë të falimentojnë”, ka shtuar ai.
Sipas Totajt, për të rikthyer stabilitetin makro-ekonomik dhe për të ndalur humbjet për sektorin privat, është me rëndësi që propozimi i Qeverisë t’i ketë këto elemente thelbësore në periudhën afat-shkurtër:
Të jetë në përputhje me nevojat e vërteta të ekonomisë së tregut, duke stimuluar likuiditetin e ndërmarrjeve dhe shtimin e aktivitetit ekonomik.
Të jetë lehtë i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Të jetë i fokusuar në ndihmën e ndërmarrjeve që kanë rrezikshmëri të lartë për falimentim, sipas vlerësimit të Bankës Botërore.
Të ketë për bazë barrën financiare që kanë sektori privat dhe punëtorët e saj te institucionet financiare, duke ofruar mundësi mbështetje të drejtpërdrejt për uljen e barrës së obligimeve bankare deri në stabilitetin e tyre.
Të ofrohen lehtësime në afate dhe mënyrën e pagesës së tatimeve, duke përfshirë shqyrtimin e mundësisë së heqjes së ndëshkimeve. Qeveria duhet të ofroj fleksibilitet për biznesin dhe te shqyrtoj mundësinë e ridizajnimit të përkohshëm të politikave tatimore.
-T’i mundësohet biznesit pagesa e tatimit në fitim sipas mundësisë përgjatë një viti fiskal, e jo si pagese e njëhershme.
-Të lirohet biznesi nga taksat dhe interesit administrativ të Qeverisë, e sidomos nga ATK dhe Dogana.
-Të subvencionohet interesi i kredive për prodhuesit vendorë deri në 60%.
-Të ristrukturohet mbledhja e TVSh-së, duke e bërë brenda vendit, për të lehtësuar barrën tek bizneset për të pasur më shumë likuiditet.
-Të rritet Fondi për Garantimin e Kredive për bizneset e reja që kanë në fokus inovacionin dhe prodhimin.
“Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës, kërkon nga kjo Qeveri të fokusohet në vazhdimin e investimeve kapitale dhe uljen e shpenzimeve operative – ku për fat të keq, gjatë kohës së pandemisë nga Qeveria Kurti, ka ndodhur e kundërta”, ka thënë tutje ai.
(A. M / Epoka e re)