Totaj i PDK-së: LV-ja kapi bordet publike, nuk e respektojë memorandumin me Ambasadën britanike
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, në një konferencë për medie, ka reaguar ndaj emërimit të anëtarëve të rinj të bordeve publike nga ana e qeverisë Kurti.
Totaj ka thënë se Vetëvendosje ka kapur bordet publike, duke mos respektuar memorandumi me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë.
“Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit”, ka thënë ai.
Deklarata e plotë e Totajt:
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka denoncuar emërimet e fundit politike të qeverisë në ikje, duke konsideruar se ato janë dëshmi e qartë e përpjekjes së kryeministrit të shkarkuar për të kapur shtetin.
Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit.
Partia Demokratike e Kosovës deklaron se këto veprime e çojnë vendin prapa duke rrënuar përpjekjet e deritanishme për të ndërtuar borde sa më profesionale që shmangin punësimin e militantëve partiakë. Ne i bashkohemi zërit të kritikës qytetare dhe dënojmë emërimet e anëtarëve politikë të Vetëvendosjes prej të cilëve janë ish kandidatë për deputetë dhe anëtarë të kësaj partie.
Kujtojmë këtu se kryetari i partisë sonë z. Veseli, nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë, ka përfshirë një kompani profesionale angleze për të ndihmuar në rekrutime sa më profesionale e meritokratike në bordet e ndërmarrjeve publike.
Së fundmi, theksojmë se ajo që i bën edhe më të rënda këto vendime, është fakti që ato po vijnë nga një qeveri e shkarkuar me mbi 2/3 e votave të popullit të shprehura nëpërmjet të deleguarve të tyre në parlament.
Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë së shkarkuar të z. Kurti që të ndali shkarkimet e paligjshme, punësimet e klienteliste e nepotike si dhe çdo vendim tjetër të rëndësishëm sepse është një qeveri e shkarkuar në detyrë.
Qeveria në ikje e Kurtit, duhet ta kuptojë njëherë e mirë, që s’ka legjitimitet të ndërmarrë veprime apo vendime të rëndësishme por thjesht duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore derisa të zëvendësohet nga një qeveri e re.