Totaj i reagon Vetëvendosjes: Shkarkimet e vonshme, mirë që po e ndiqni PDK-në
Pas dy largimeve brenda javës të drejtorëve të komunës së Prizrenit të udhëhequr nga Vetëvendosje ka reaguar s kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj.
Ai ka thënë se këto veprime janë të vonshme. Megjithatë, Totaj ka thënë se është mirë që Vetëvendosje po e ndjekë agjendën e PDK-së në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
“Vendime të vonuara të kryetarit Haskuka për të larguar zyrtarë me aktakuza. Mos përfillja e tij e gjatë ndaj kërkesave qytetare është e papranueshme dhe kundër premtimeve të tij për një qeverisje të përgjegjshme. Megjithatë, është mirë që Vetëvendosje reagoi më në fund duke ndjekur iniciativën dhe agjendën e PDK-së për të luftuar kundër korrupsionit dhe nepotizmit” ka shkruar Totaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Para disa ditës në komunën e Prizrenit ka dhënë dorëheqje drejtori i Financave për shkak të një aktakuze, ndërsa sot kryetari i kësaj komune Mytaher Haskuka ka shkarkuar drejtorin e Arsimit.
/Epoka e re/