Totaj ia dorëzon projektbuxhetin e 2025-s kryesueses së Kuvendit Komunal
Pas një periudhe intensive dëgjimesh publike dhe angazhimi të gjithanshëm me qytetarët, përfaqësuesit e fshatrave, OJQ-ve, shoqatave dhe biznesit, Komuna e Prizrenit ka njoftuar për përfundimin e projektit të buxhetit për vitin 2025, i cili projekt është bërë duke marrë parasysh të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe idetë e qytetarëve si dhe është finalizuar me energji dhe përkushtim nga grupi i zyrtarëve komunalë të angazhuar në hartimin e buxhetit.
Dëgjimet publike u kanë ofruar mundësi qytetarëve të kontribuojnë në formimin e qëndrimeve dhe të krijojnë një bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prizrenit.
Ky proces ka qenë thelbësor për të siguruar që buxheti t’i reflektojë nevojat dhe prioritetet e komunitetit.
Kryetari Shaqir Totaj ia dorëzoi projekt buxhetin kryesueses së Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi, e cila do të vazhdojë me procedurat e nevojshme ligjore deri në miratimin përfundimtar të buxhetit për vitin 2025 nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Pas miratimit në Kuvend, buxheti do të publikohet në uebfaqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, për transparencë dhe qasje të gjerë për të gjithë qytetarët.