Totaj: Kam përkrahje që ta udhëheq PDK-në në Prizren

01 maj 2018 | 12:33

Ish-kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë me dije se ka për synim të bëhet kryetar i degës së këtij subjekti politik në këtë komunë.

Ai ka deklaruar se për këtë ka një disponim të madh të anëtarësisë së PDK-së në Prizren. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Totaj ka vlerësuar se me zgjedhjen e tij do të fuqizohet kjo degë e PDK-së.

“Po, do të konkurroj për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren. Është një disponim pozitiv i elektoratit të PDK-së që të jem kryetar i kësaj dege. Këtë disponim qytetarët e Prizrenit e kanë treguar edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Tani besoj se është një rast i mirë që ky disponim, kjo përkrahje që gëzoj, të  konfirmohet nga anëtarësia e PDK-së”, ka thënë Totaj.

Ai ka treguar se në procesin e brendshëm zgjedhor të PDK-së po ofron kuadro të reja. “Unë kam pasur kontakte me shumë njerëz, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të PDK-së. Ata janë njerëz profesioni, ekspertë të fushave të ndryshme. Tani ata kanë treguar interesim që të inkuadrohen në këtë proces duke shpresuar se PDK-ja do ta vazhdojë rrugën e vet drejt reformave që kanë filluar”, ka thënë Totaj.

Ai është shprehur i bindur se reformat në këtë parti nuk do të jenë vetëm fjalë.

“Për këtë arsye ne vazhdimisht jemi në kontakt me njerëz të cilat kanë shprehur gatishmëri të inkuadrohen dhe ta japin kontributin e tyre në këtë subjekt politik. Njëkohësisht, ne do ta ruajmë edhe bërthamën e PDK-së, sepse kjo parti në Prizren ka një strukturë, një organizim të madh që prej vitesh ka dhënë kontribut në PDK. Kështu që, në të ardhmen do ta kemi një kombinim në mes të anëtarëve të dëshmuar të PDK-së dhe figurave të reja që do të inkuadrohen tani përmes procesit të brendshëm zgjedhor”, ka thënë Totaj, duke shtuar se kjo do ta ndihmojë PDK-në dhe ta përgatisë ballafaqimin me sfidat e reja të kohës.

Në këtë intervistë Totaj ka folur edhe për përmendjen e emrit të tij për ministër të ri të Inovacionit të Ndërmarrësisë dhe për qeverisjen lokale në qytetin e Prizrenit.

“Epoka e re”: Z. Totaj, me shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës jeni treguar mjaft aktiv në aktivitetet partiake në Prizren. Si po ecën ky proces në degën tuaj?
Totaj: Procesi i brendshëm zgjedhor ka filluar me Rininë Demokratike dhe si i tillë do të jetë një proces transparent dhe shumë kualitativ. Ky është një proces i cili simbolizon fillimin e ‘Dekadës së Re’ dhe besoj se në përfundim të tij do të dalim me kuadro të reja, me një orientim programor dhe kualitativ, i cili do t’i përmbushë objektivat e PDK-së që janë shtetformuese.

“Epoka e re”:  A do të inkuadroheni ju personalisht në këtë proces?
Totaj: Pas përfundimit të zgjedhjeve, në kuadër të Rinisë Demokratike të Kosovës dhe të Forumit të Gruas Demokratike, priten zgjedhjet e ekipit të seniorëve. Po them kështu meqenëse jam njëfarë sportisti. Natyrisht se do të inkuadrohem në këtë proces dhe të shohim më tutje se çfarë do të ndodhë.

“Epoka e re”: Inkuadrimi juaj nënkupton se do të kandidoni për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren?
Totaj: Po, do të konkurroj për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren. Është një disponim pozitiv i elektoratit të PDK-së që të jem kryetar i kësaj dege. Këtë disponim qytetarët e Prizrenit e kanë treguar edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Tani besoj se është një rast i mirë që ky disponim, kjo përkrahje që gëzoj, të  konfirmohet nga anëtarësia e PDK-së.

“Epoka e re”: Meqenëse ju jeni identifikuar si figurë e re e PDK-së, me zgjedhjen tuaj në krye të kësaj dege, sa do të arrini të tërhiqni kuadro të reja?
Totaj: Unë kam pasur kontakte me shumë njerëz, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të PDK-së. Ata janë njerëz profesioni, ekspertë të fushave të ndryshme. Tani ata kanë treguar interesim që të inkuadrohen në këtë proces duke shpresuar se PDK-ja do ta vazhdojë rrugën e vet drejt reformave që kanë filluar. Jam i bindur se reformat nuk do të jenë vetëm fjalë, ato do të ndodhin në realitet. Për këtë arsye ne vazhdimisht jemi në kontakt me njerëz të cilat kanë shprehur gatishmëri të inkuadrohen dhe ta japin kontributin e tyre në këtë subjekt politik. Njëkohësisht, do ta ruajmë edhe bërthamën e PDK-së, sepse kjo parti në Prizren ka një strukturë, një organizim të madh që prej vitesh ka dhënë kontribut në PDK. Kështu që, në të ardhmen do ta kemi një kombinim në mes të anëtarëve të dëshmuar të PDK-së dhe figurave të reja që do të inkuadrohen tani përmes procesit të brendshëm zgjedhor. Kjo do ta ndihmojë PDK-në, do ta përgatisë në ballafaqimin me sfidat e reja të kohës që kërkojnë profile të ndryshme profesionale.

“Epoka e re”: Zgjedhjet e brendshme, sa do ta konsolidojnë PDK-në në përgjithësi?
Totaj: Besoj shumë se zgjedhjet e brendshme do të kenë ndikim pozitiv në drejtim të konsolidimit dhe të reformimit të partisë. Po ndodh një frymë e re, sepse kemi hyrë në ‘Dekadën e Re’, dhe ka një gatishmëri e vullnet për të ecur përpara. Besoj se me këtë punë nuk do të mungojë as rezultati.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen në Komunën e Prizrenit?
Totaj: Qeveria në këtë komunë nuk është diçka me të cilën mund të krenohet kryetari aktual i Prizrenit dhe as Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar këtë komunë. Prej ditës së parë shumë gjëra nuk kanë shkuar si duhet. Emërimi i drejtorëve të rinj dhe disa procese të tjera nuk kanë shkuar në rregull. Janë larguar shumë prej premtimeve elektorale dhe nuk po vërehet ndonjë kualitet i ri, për të cilin ata kanë luftuar. Qeverisja aktuale ende vazhdon ta kritikojë qeverisjen e kaluar dhe të ankohet se ka shumë probleme. Qeverisë aktuale në këtë komunë i mungojnë vizioni i qartë dhe gatishmëria që të adresohen sfidat e problemet që ekzistojnë në Prizren.

“Epoka e re”: Do të thotë, qytetarët e kësaj komune i kanë rënë pishman që nuk ju kanë zgjedhur juve kryetar?
Totaj: Kjo është vështirë të konstatohet por, në kontakte me qytetarë, kam pasur shumë raste që kanë treguar njëfarë pendimi se kanë gabuar me votën e tyre. Mirëpo, ajo që vërehet është se qeveria aktuale në Prizren nuk po arrin t’i përmbushë premtimet elektorale deri më tani.

“Epoka e re”: Z. Totaj, emri juaj është përfolur në medie për ministër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Totaj: Me kryetarin e partisë, z. Veseli, kemi kontakte të vazhdueshme dhe bisedojmë për planifikimin e temave të ndryshme, përveç të tjerash, edhe të karrierës time. Kemi pasur bisedime, mirëpo asgjë nuk ka të konfirmuar. Në këtë moment nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të bisedës dhe për shkak se kjo është një temë e ndjeshme. Nëse ka diçka konkrete, do të jem i gatshëm të bisedoj.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se…