Totaj kërkon mbrojtje nga policia, Zafir Berisha e kanos se do ta ngrehë zhag nëpër Prizren

26 qershor 2022 | 09:38

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kërkuar ndihmë nga policia pasi ka denoncuar se është kërcënuar përmes telefonit nga kryetari i Nismës, Zafir Berisha.

Totaj e ka njoftuar policinë se është kërcënuar nga Berisha përmes telefonit, i cili dyshohet t’i ketë thënë se do ta ngrehë zhag nëpër Prizren, para se ta prishin koalicionin për shkak të drejtorëve të zgjedhur në shkollat atje dhe “të dashurave” të tyre.

“Sinjali” mëson ekskluzivisht nga burimet brenda komunës, se Prokuroria Themelore në Prizren tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, që dyshohet se ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Burimet e njëjta nga komuna thonë për “Sinjalin” se Berisha i është drejtuar Totajt se do t’i sqarojnë disa çështje politike që lidhen edhe me ‘mercenarë’ të Vetëvendosjes.

Përveç kësaj, Totaj edhe është sharë e ofenduar nga Berisha me fjalët “i pafytyrë, pis, robët ka me t’i q”), thonë burimet nga komuna.

Ai madje e ka “paralajmëruar” të parin e Prizrenit se nuk do ta lë më kaq, me pretendimet se Totaj e ka shfrytëzuar atë gjatë fushatës zgjedhore.

Lidhur me këtë rast, “Sinjali” ka tentuar të marrë një konfirmim nga të dyja palët, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Pas interesimit të “Sinjalit” për të marrë një konfirmim zyrtar edhe nga policia, zëdhënësi i rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi, ka deklaruar se nuk kanë informacione. Mirëpo burime nga komuna thonë se Drejtoria Rajonale në Prizren, për t’i bërë favor Berishës, qëllimisht është duke e mbajtur rastin e fshehur dhe të izoluar nga syri i publikut dhe mediet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Japonia do të ndalojnë…