Totaj: Ministrit Çekut pesë herë i kam shkruar, lëre që nuk pranon takim, po as nuk ma kthen emailin
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur kritika ndaj Qeverisë, duke thënë se nuk ka bashkëpunim adekuat me nivelin lokal.
Ai ka theksuar se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij në Prizren, kanë pasur më shumë prezencë diplomatësh ndërkombëtarë në zyrën e tij sesa ministrave të kryeministrit Albin Kurti.
Kështu, Totaj ka marrë dy shembuj të bashkëpunimit dhe mosbashkëpunimit të nivelit qendror me atë lokal.
Sipas tij, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimi, është shembull i mirë i bashkëpunimit, ndërsa shembull i keq është ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Qeveria lokale dhe ajo qendrore mund t’i ndihmojë njëra-tjetrës. Unë jam përafërsisht gati 2 vjet kryetar i Prizrenit, kam një komunikim shumë të mirë me diplomatë ndërkombëtarë, të shteteve të QUINT-it ShBA-së etj…, të cilët vijnë ka dy herë në zyre në Prizren, nuk mund të them të njëjtën gjë për ministrat. Po du me marrë një shembull pozitiv të zëvendësministri i Infrastrukturës me të cilin kemi një bashkëpunim të mirë dhe është i gatshëm për bashkëpunime. Po u jap një shembull të keq të ministrit të Kulturës që vjen nga Prizreni, pesë herë i kam shkuar dhe i kam kërkuar takim për tema që janë me interes për zhvillimin e Prizrenit, lerë që nuk pranon takim po as nuk ma kthen email-in. Mendoj që është në shembull jo i mirë, është një qasje jo e mirë”, ka thënë Totaj.