Totaj pret në takim ambasadorin hungarez: Mbështetja e bizneseve është ndër prioritetet tona
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, pritur të hënën në takim ambasadorin hungarez, Jozsef Bencze, me të cilin ka diskutuar për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të bizneseve të të dyja vendeve, duke e rritur nivelin e importit dhe eksportit.
“Krijimi i urave për bashkëpunim ekonomik do të ndikojë në joshjen e investitorëve potencialë të huaj që do të përkthehej në zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, ka thënë Totaj.
Me këtë rast, ambasadori Bencze ka propozuar binjakëzimin e Prizrenit me një qytet hungarez, duke i paraprirë me bashkëpunim konkret mes universiteteve të qyteteve të dy vendeve, duke e rritur kështu numrin e studentëve që studiojnë në Hungari dhe shkëmbimit të tyre në përgjithësi.
“Kemi bashkëpunim të mirë me Komunën e Prizrenit, qytetin tim të preferuar, dhe duam të krijojmë një lidhje bashkëpunimi me bizneset e Prizrenit. Ne kemi hapur edhe konsullatë në Prizren dhe mendojmë që t’i thellojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat. 75 studentë të Kosovës studiojnë në Hungari, por dëshirojmë ta rrisim këtë numër”, u shpreh ambasadori Bencze.
Kryetari Totaj falënderoi ambasadorin Jozsef Bencze për këtë iniciativë, ndërsa, premtoi se do të krijohet klima e duhur për takimin e biznesmenëve të Prizrenit me organet hungareze të biznesit.