Totaj: Të punojmë së bashku për një Prizren edhe më të mirë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se PDK-ja ka energji dhe se do të vazhdojë përpara, duke fituar rundin e parë me përparësi me 5 mijë vota dhe se kjo nuk do të ishte e mundshme pa një angazhim të anëtarësisë dhe aktivistëve të saj.
Ai është zotuar për vazhdimin e qeverisjes së mirë me Prizrenin, pasi që qytetarët e saj meritojnë ndryshime tjera pozitive, të cilat do t’i arrijë PDK-ja përmes rritjes së kualitetit të qeverisjes dhe fillimin e një etape të re për një qeverisje pa burokraci.
Totaj ka kërkuar mobilizim dhe angazhim që më 19 nëntor në mënyrë masovike qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin më të mirë që do të drejtojë komunën në katër vjetët e ardhshme.
Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, pjesë e koalicionit zgjedhor për garën e balotazhit, Lulzim Kabashi, ka thënë se mbështetja e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit Shaqir Totaj ka qenë alternativa e vetme, të cilin do ta mbështesin pa rezervë në garën e 19 nëntorit.
Deputetja Duda Balje nga koalicioni Vakat, ka ftuar elektoratin që më 19 nëntor të mbështesë kandidaturën e Totajt për të parin e Komunës së Prizrenit, pasi që ai do të punojë për interesat dhe nevojat e qytetarëve. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka përshëndetur komunitetin boshnjak për garën e balotazhit, me fjalët: “Selam za pobedu” (Përshëndetje për fitore).
Ai ka thënë se në raundin e parë të zgjedhjeve PDK doli fuqishëm fitues në komunën e Prizrenit, ndërsa rrugëtimi do të vazhdojë për hapjen e perspektivës për qytetarët e Prizrenit për katër vitet e ardhshme, së bashku me koalicionin zgjedhor, pa dallime etnike.
Ai tha se Shaqir Totaj është adresa e zhvillimit ekonomik, të Prizrenit, adresa e transparencës publike dhe për këtë arsye qytetarët më 19 nëntor të dalin masovikisht dhe t’i dalin në përkrahje Totajt për të fituar garën për të parin e komunës.