TOTALITARIZMI
HANNAH ARENDT
Totalitarizmi fillon me përbuzjen e gjërave që i keni. Pason mendimi: “Gjërat patjetër duhet të ndryshojnë, të bëhet më mirë sesa është”. Sunduesit totalitarë e organizojnë këtë lloj ndjeshmërie masive dhe, duke e organizuar, e artikulojnë në atë mënyrë sa t’i shtyjnë njerëzit që ta duan.
Njerëzve dikur u është thënë “mos vritni” dhe ata nuk kanë vrarë. Tani u thuhet “vritni” dhe ata, edhe kur mendojnë se kjo është diçka e keqe, e bëjnë, sepse kjo bëhet pjesë e kodit të sjelljes. Ata mësojnë se kë duhet ta vrasin dhe si ta vrasin dhe si ta bëjnë këtë bashkërisht. Ky është “gleichschaltung”, pra proces i bashkëpunimit. Ju bashkëpunoni jo me të fuqishmin, por me fqinjin tuaj – jeni i koordinuar me shumicën. Por, në vend se të komunikoni me të tjerët, tani jeni ngjitur me ta. Dhe, natyrisht, keni një ndjenjë fantastike. Totalitarizmi zgjon nevoja shumë të rrezikshme emocionale te njerëzit që jetojnë në një izolim të plotë dhe të frikësuar prej njëri-tjetrit.
(Shkëputur nga biseda e Hannah Arendtit me shkrimtarin francez Roger Errera bërë më 1974. E përktheu: Salajdin Salihu)