Tottenhami fitoi derbin ndaj Chelseat
Chelsea ka pësuar humbjen e parë në këtë sezon të Premier Ligës pasi është mundur 3-1 në “Wembley” nga Tottenham, që është ngjitur në vendin e tretë në renditje duke parakaluar pikërisht “Blutë”.
Tetë minuta lojë i kanë mjaftuar vendasve për të zhbllokuar ndeshjen me një goditje me kokë të Alli, teksa dyfishimi i avantazhit ka ardhur në minutën e 16-të me Kane, por “merita” për golin e sulmuesit anglez i shkon portierit të miqve, Kepa Arrizabalaga, i cili, në mënyrë të pashpjegueshme, ka reaguar vetëm në momentin e fundit pasi topi kishte përfunduar në rrjetë, raporton “Telesport”.
Goli i tretë ka ardhur në pjesën e dytë, në minutën e 55-të, dhe ka qenë një kryevepër e Son, i cili ka realizuar pas një shpërthimi në krahun e majtë, duke lënë mbrapa Jorginho dhe David Luiz. Në minutën e 85-të ka ardhur edhe goli i ngushëllimit i Chelsea, që ka shënuar me Olivier Giroud, i cili ka mposhtur Lloris me një goditje të saktë me kokë pas një krosimi perfekte të Azpilicueta. Francezi është bërë lojtari i dytë në historinë e Premier League që shënon 20 gola si zëvendësues (Jermain Defoe 24).
Një fitore e merituar nga “Spurs”, por që mund të kishte qenë edhe më thellë nëse Alli dhe Kane do të kishin shfrytëzuar rastet e patura në minutën e 68-të dhe të 70-të.