Tottenhami merr vendin e dytë në Premier Ligë
Humbja 3-1 e pësuar në shtëpi kundër Wolves në takimin e fundit të luajtur në kampionat për 2018-ën duket se ka qenë vetëm një aksident për Tottenham, që kishte marrë 6 fitore dhe 1 barazim para sfidës me “Ujqërit”.
“Spurs”, në fakt, janë kthyer te fitorja mbrëmjen e sotme pasi kanë mundur 3-0 Cardiff në transfertë.
Ndeshja është zhbllokuar pas tri minutash lojë me golin e parë të realizuar në katër ndeshje kundër Cardiff nga Harry Kane, i cili tani ka shënuar kundër të gjithë 28 ekipeve me të cilët është përballur në Premier Ligë.
Në minutën e 12-të ka ardhur goli i dytë i miqve i shënuar nga Eriksen, me danezin që ka shënuar golin e tij të 19 nga jashtë zone në Premier; më shumë se çdo lojtarë tjetër që nga debutimi i tij në kampionatin anglez (shtator 2013).
Takimi është mbyllur në minutën e 26-të të pjesës së parë me golin e shënuar nga Son, që ka qenë i përfshirë në realizimin e 11 golave në tetë ndeshjet e fundit që ka luajtur si titullar në kampionatin anglez: 8 gola dhe 3 asiste.
Kjo fitore e ka ndihmuar ekipin e Mauricio Pochettino të parakalojë Manchester City-n në renditje dhe të ngjitet në vendin e dytë, por “Qytetarët” do të luajnë të enjten në shtëpi kundër Liverpool.
Cardiff-i, nga ana tjetër, e ka nisur 2019-ën me humbje pasi e kishte mbyllur 2018-ën me një barazim dhe një fitore. Ata mbeten në vendin e 16-të me 18 pikë.