Tottenhami në Holandë për ta përmbysur Ajaxin
Tottenham Hotspur pësoi humbje në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve si vendës javën e kaluar nga Ajaxi (0-1), kurse më pas humbi edhe ndeshjen e fundjavës në Premierë Ligë nga Bournemouthi (1-0).
Tash skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino kërkon rikthimin e fuqishëm në ndeshjen kthyese ndaj holandezëve të Ajaxit në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Johan Cruijff Arena”, por rikthimi nuk do të jetë aspak i lehtë për “Spursin” për faktin se Ajaxi ka qenë fantastik në këtë edicion duke eliminuar skuadra si Real Madrid dhe Juventusi.
Tottenhami me shumë fat e eliminoi në çerekfinale skuadrën e Manchester Cityt, por ndaj Ajaxit i duhet shumë punë për ta arritur finalen e madhe. “Finalja kundër Barcelonës do të ishte krejtësisht e veçantë. Sidoqoftë, unë nuk dua të flas ende për këtë, sepse nuk do ta respektoja Tottenhamin. Kemi ende për të bërë. Do të luhet edhe gjysmëfinalja e kthimit. Ne do të duhet të luajmë më mirë se javën e kaluar në Londër. Pjesa e parë e jona ishte shumë e mirë. Në pjesën e dytë, Tottenham ishte më shumë i pranishëm në fushën tonë dhe na vuri në vështirësi. Tani duam më shumë. Nuk jemi të kënaqur vetëm me këtë titull, Kupën e Holandës”.
Trajneri Pochettino shpreson se në këtë ndeshje ta ketë të gatshëm mbrojtësin veteran Jan Vertonghen, i cili u lëndua pas një përplasje javën e kaluar me shokun e skuadrës, Toby Alderweireld. Lajm i mirë për skuadrën angleze është rikthimi nga suspendimi i Heung-min Son dhe Juan Foyth, por Harry Kane mungon sikurse edhe Harry Winks, Serge Aurier dhe Erik Lamela. Mungesa te vendësit janë Hassane Bande dhe Carel Eiting.
/Epoka e re/