Tovërlani: Dështim nëse Prishtina nuk e fiton titullin
Trajneri më i trofeshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani, ka folur për rrjedhën e kampionatit të sivjetmë si dhe për titullin e kampionit në Vala Superligë.
Tovërlani fillimisht ka analizuar rrjedhën e këtij kampionati duke e cilësuar tejet interesant megjithëse, sipas tij, në pranverë ritmi i ekipeve ra dukshëm. “Sezoni vjeshtor ka qenë më rivalizuesi deri më tani, por sezoni pranveror nuk ka qenë i mirë, duhet ta kemi parasysh, sepse dështuan disa ekipe si Feronikeli, Trepça ’89, Llapi, Gjilani dhe Liria. Pra, pranvera ka zbehur bukurinë dhe rivalitetin që ka qenë në vjeshtë. Patëm shumë ndeshje defanzive në pranverë nga skuadrat, gjë që e bën monotone lojën e futbollit”, ka thënë Tovërlani për “Sport-24h.net”.
Ish-trajneri i Feronikelit dhe Prishtinës foli edhe për titullin e kampionit në Vala Superligë edicionin e sivjetmë, duke thënë se ende nuk ka mbaruar asgjë dhe gjithçka do të vendoset në fund.
“Gjithçka është në duart e Dritës dhe Prishtinës. Nëse analizojmë pranverën, Drita ka përparësi me formën që po kalon dhe lojën që po e bën me më shumë raste dhe shënime. Por, një ndeshje mund të ndodhë që Prishtina ta mposhtë, por a mundet me dy gola epërsi këtë nuk mund ta di”, ka deklaruar Tovërlani. “Favorite është Drita, e cila duhet të dëshmojë nëse mund ta bartë presionin dhe të na bindë se vërtet është më e mira. Nëse Prishtina nuk e arrin titullin, do të jetë vit i dështuar, pasi ka investuar shumë, por ende është në objektivat e saj dhe duhet të shpresojë deri në fund”, ka përfunduar Tovërlani.