Townsend: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së ShBA-së dhe BE-së
Ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj NATO-s, Jim Townsend vlerëson se një nga zhgënjimet më të mëdha të zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë në Evropë janë dështimi i shteteve të Ballkanit për të arritur paqen me njëra-tjetrën.
Townsend, i cili ka luajtur një rol kritik për zgjerimin e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me demokracitë e reja që dolën pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se tridhjetë vjet pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” që ish-presidenti Bush i bëri Serbisë për Kosovën, gjasat për shpërthimin e luftës janë të vogla, por Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet në Ballkan dhe të sigurohen që ato nuk do të lihen jashtë vëmendjes.
“Mendoj se situata aktuale e sigurisë në Evropë është pak befasuese për të gjithë ne që punuam për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Ftohtë në vitet ‘90-ta, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe zgjerimit të NATO me shtetet e Ballkanit. Ne u përpoqëm të parashikojmë një Evropë ku integrimi do të ndodhte përmes anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në atë kohë madje flitej që edhe Rusia mund t’i bashkohej NATO-s. Kjo, tingëllon tani si ide e çmendur, por në fillim të viteve ’90, ishte një ide që diskutohej seriozisht. Nuk e mendonim që zhvillimet do të merrnin këtë drejtim, sidomos ato që po ndodhin me Rusinë. Siç e dini, gjatë viteve ‘90 ndodhën edhe luftërat në Ballkan. Diplomacia në atë kohë, disa udhëheqës të guximshëm… bënë punë mjaft të mirë për të vendosur paqen në Ballkan, për të menaxhuar shpërbërjen e Jugosllavisë. Në fundin e asaj dekade, ne patëm një vizion për Evropën, përfshirë Ballkanin, e paramendonim një të ardhme krejtësisht ndryshe. Shumë prej atyre parashikimeve kanë ndodhur. Zgjerimi i NATO-s, zgjerimi i BE-së, shumë prej vendeve të Ballkanit janë inkuadruar në NATO. Por Rusia është befasia më e madhe, sepse shkoi në një drejtim krejtësisht tjetër nga ai që mendonim atëherë. Dhe ky është njëri prej zhgënjimeve. Zhgënjimi tjetër ishte, se sinqerisht shpresonim se vendet e Ballkanit do të arrinin paqe shpejt me njëri-tjetrin dhe do të integroheshin në institucione evropiane si NATO dhe BE-ja. Kjo do të ndodhë, kam besim se do të ndodhë, por më ngadalë se sa shumë prej nesh duam”, ka pohuar Townsend.