“Toyota” nis ndërtimin e “qytetit të së ardhmes”
“Toyota” ka nisur ndërtimin e një qyteti inteligjent prej 175 hektarësh në Japoni, i cili do të punojë me bazë inteligjencën artificiale dhe teknologjike futuristike dhe do të shërbeje si një “laborator i gjallë”. Ndërtimi nisi javën e kaluar në projektin e quajtur “Woven City” dhe ndodhet në rrëzë të malit Fuji, rreth 99 kilometra nga Tokio.
Qyteti planifikohet që të jetë si bazë për të testuar teknologjitë e reja në ambientin urban, përfshirë robotikën, shtëpitë inteligjente të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe inteligjencën artificiale. Presidenti i kompanisë, Akio Toyoda, inauguroi punimet, në një ceremoni ku morën pjesë zyrtarë lokalë të prefekturës Shizuoka, ku ndodhet qyteti.
“Toyota”, e cila e prezantoi për herë të parë projektin në Janar të vitit të shkuar, thotë se qyteti do të ketë tre lloje rrugësh, të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën në nivel nëntokësor. Njëra do të jetë vetëm për këmbësorët, tjetra për këmbësorët që përdorin mjete si e-scooters dhe e treta vetëm për makina me autopilot. Kompania tha se do të ketë edhe një rrugë nëntokësore, e cila do të jetë vetëm për transportin e mallrave.
“Toyota” e prezantoi makinën e saj me autopilot, e-Palette, në 2018 dhe pritet që ato të prodhohen masivisht për projektin e Woven City. Banorët e Woven City do të jetojnë në shtëpi inteligjente që do të kenë sistem robotik të integruar, i cili do t’i asistojë në jetesën e përditshme dhe me sensorë të bazuar në inteligjencën artificiale, që do të monitorojë shëndetin e njerëzve dhe do të kujdeset për nevojat bazike të tyre.
Faza e parë e projektit do të përfshijë rreth 360 banorë të moshave të ndryshme, duke u zmadhuar deri në 2 mijë persona, përfshirë disa prej punonjësve të Toyota dhe familjeve të tyre, ashtu sikurse shkencëtarë dhe investitorë./tvklan.al/