Tradhtia që nuk po vdes po merr ves, vetëm politikanët patriotë mund ta ndalin
Prof. dr. Hakif Bajrami
1. Bijat dhe bijtë e shekullit të ri ua dridhin këmbët aristokratëve diverzivë në Republikën e Kosovës
Gjatë vitit që po shkon Lëvizja Vetëvendosja doli në skenën politike të Republikës Kosovës më fuqishëm se kurrë më parë, duke zhveshur çdo tradhti dhe antikombëtarizëm, por duke i joshur edhe kozmopolitët më të përbetuar, se kjo “parti është e ardhmja e shtetit më të ri në Evropë”. Po bëhen gjashtë vite që në shtypin ditor duke i analizuar sjelljet e partive politike të Kosovës, (ato të mëhallëve dhe ato të regjioneve), Vetëvendosja është dëshmuar si parti e “digitronëve”, me bazament largpamës kombëtar dhe ndërkombëtar. E vërteta, akterët drejtues dhe tërë anëtarësia e kësaj partie (më parë Lëvizje…) del se janë atdhetarë të guximshëm.
Vërehet se kanë fjalor faktorizues objektiv dhe premtojnë se Republika nëse zhvillohet me diturinë dhe praktikën e tyre, do t’i arrijë shumë shpejtë standardet moderne euro-amerikane. Prandaj, u dëshiroj politikë të shëndetshme dhe jo pushtet pa konkurrencë dhe pa llogari para popullsisë, sepse zhgënjimi pastaj do të kalonte në rezignacion, ashtu si i ka shtrirë për toke partitë “institucionale”, që tani po fundosen dhe po krekosen se janë ende gjallë. Hipokrizia e atyre që krekosën nga “funksioni i pozitës” shumë shpejtë do të shkojë në mbeturina të historisë.
Nuk jam pajtuar dhe nuk pajtohem si specialist i historisë së partive politike, që një parti të hedh gaz lotsjellës në ambientet e parlamentit. Po, mjetet tjera “të buta” (edhe pse gazi është i butë!) lejohen, por çdo gjë ka rregulla ligjore, morale, civilizuese dhe njerëzore. Lidhur me këtë, me asnjë gjykim neofashist të kujtdo qoftë nuk pajtohem. Nuk pajtohem me disa konceptualistë që këtë parti e quajnë “terroriste”, madje pa asnjë provë sepse dinë, bie fjala të shkruajnë poezi, por nuk dinë, ama nuk dinë asgjë nga kriminalistika. Nuk pajtohem me asnjë qëndrim që aktivistët e kësaj partie të dënohen me 22 vjet burgim, vetëm për t’ua plotësuar hjeksinë disa politikanëve, të cilët që 18 vite çdo vendim që e kanë marrë, ka qenë në dëm të realitetit objektiv të Republikës Kosovës, si në Rambuje 1999, ashtu edhe në Kumanovë dhe kanë vazhduar në Vjenë e Bruksel dhe çështja ka ardhur nga fitorja në GJND, duke u kthyer në fusnotë që është krijesë dhe sajesë ruso-serbe.
Një pjesë jo e vogël e popullit nuk pajtohet me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e parlamentit Kadri Veselin që ish-ministren e Drejtësisë (Zonjën e nderuar Dhurata Hoxha) ta emërojnë prapë ministre, atë të Integrime Evropiane, kur “në duar të saj”, në firmën e ministrisë që e drejtonte, është vrarë patrioti Astrit Dehari. Nuk pajtohet opinioni, as nuk mund ta durojë moralisht, profesionalisht edhe unë si historian hulumtues (një lloj prokurori, avokati dhe gjykatësi) që Astrit Dehari “ka bërë vetëvrasje”, e thënë nga një prokuror pa asnjë kredibilitet profesional, sepse kur e tha nuk kishte asnjë provë kredibile të kriminalistikës.
E them këtë, sepse që 50 vite i hulumtoj dosjet e gjyqeve, sepse historia jonë është histori e gjyqeve dhe ngjarjeve të tilla meksine. Historia jonë kombëtare është shumë e dhimshme në këtë fushë. Po, ka raste kur pesë vëllezër (Vllasa nga Llapi, të afërm të prijësit të kryengritjes së Llapit Ramë Vllasa, kundër okupatorit 1918-1922, kur u burgosën) në burgun e Mariborit më 1938, “vetëvriten”, pesë ditë para se të lirohen, pas 18 vjet burgimi të rëndë. Shumë shqiptarë janë vrarë nëpër burgjet jugosllave në këtë mënyrë. Po e shënoj edhe “skajin” tjetër të burgjeve ish jugosllave, kur Adem Demaçi duhej të likuidohej duke u transferuar nga Kroacia në Serbi, në burg pas 28 vjet burgimi të rëndë, më 20 shkurt 1990, pra vetëm disa javë para se të lirohej! Bacën nuk e dorëzoi Tuxhmani, le të dihet.(Lexoni kujtimet e B. Joviqit të botuara në f. 17).
T’i kthehem rastit tragjik të Astrit Deharit. Është për t’u habitur se si ende mjegullohen me vdekjen e tij të dhunshme. Prandaj, opinioni nuk pajtohet me kryetarin e parlamentit Kadri Veselin, si pjesëtar i UÇK-së dhe drejtues i ish SHIK-ut, që në ambientet e Kuvendit Kosovës, deputetët e Vetëvendosjes të tërhiqen zvarrë nga policët, të cilët, nuk janë fajtorë fare, sepse ata kanë marrë urdhra të gabuara ligjërisht dhe moralisht nga lartë. Këtë urdhër që të dhunohen deputetët publikisht në ambientet e Kuvendit ka munduar të japë vetëm ndonjë gjykatës, që nuk ka kredibilitet, por është kthyer në zbatues marionetë të kohës. Dhe duhet të dihet se çdo gabim i tillë mbetet në firmën e qeverisë, qoftë ai edhe “gjykatës” ideal!. Gjykatës të tillë “ideal”, nuk na duhen më, sepse kemi vuajtur prej tyre, dihet sa e si. Lexoni lexues të nderuar se si Faton Mehmetaj, një studiues profesional, shumë kompetent publikisht më 2 dhjetor 2017 në “Epoka e re” shkruan se në “Parlamentin e Kosovës kanë hedhur granatë agjenturat ruso-serbe”. E pra, mos ia ktheni pushkën veti pushtetarë!
Opinioni nuk pajtohet me ministrin e Drejtësisë të kësaj Qeverie, që të qëndrojë “neutral” që prokurorët, gjykatësit dhe gardianët të sillen si të duan duke lënë përshtypje se po i zbatojnë urdhrat e ndonjë gjykatësi të EULEX-it, që disa prej tyre po sillen në Kosovë sikurse në një koloni moderne edhe pse moto e tyre është shumë e drejtë: “Askush mbi ligjin”. Aksiomë e mirëfilltë, pa koment.
Do të i këshilloja aktivistët e Vetëvendosjes që t’i përgjigjen qytetarisht çdo thirrje në gjykatë. Lidhur me këtë, edhe disa policë sikur duan të dalin spektakular para opinionit. Por nëse kanë moral profesional ata do të duhej ta refuzonin atë spektakël me deputetë, që nesër mund t’u bëhen urdhërdhënës, pushtetarë. Këtë nuk e them për frikë, por për etikë shtetërore profesionale. Aktivistëve të Vetëvendosjes u them publikisht se po sa kanë hy në politikë, atëherë më lehtë është për ta përthekuar diellin me duar, se sa të dalësh nga politika të pastër. Zakonisht ata që kanë dituri thelbësore politike, më shumë merren me teori të politikës, se sa të bëhen zbatues të saj, sepse ligjet në përpikëri nuk mundet t’i zbatojë askush, pa gabime.
2. Çështja e demarkacionit Kosovë – Mali i Zi është fabrikuar me qëllim
Në fund, më duhet të theksojë se Vetvendosja tërë këtë histori e ka bërë duke kundërshtuar demarkacionin e bërë gabimisht nga një Komision që kurrë nuk është marrë me një punë të tillë; dhe, asociacionin e bërë me 13 shkelje të Kushtetutës. Madje Vetëvendosja ishte me të drejtë historikisht kundër Gjykatës Speciale, që do të mbetet në histori si tendencë për ta defaktorizuar Republikën e Kosovës, sepse pas shumë gjykimesh dhe vuajtjesh individuale dhe familjare pjesëtarët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Koha do të tregojë se kush kishte të drejtë, por vuajtjet individuale dhe familjare do të mbesin.
Lajmet që vijnë nga disa vende të BE-së si Spanja se NATO-ja shumë “shpejt do të largohet nga Kosova” tregon se shtetin e Kosovës më parë do ta pranojë Rusia se sa Madridi. Por nacionalizmi në Evropë po lulëzon. Një lulëzim i tillë këto ditë doli në shesh pas Katalonisë dhe Veriut të Italisë. Fjala është për “pavarësimin e Korzikës nga Franca”. Zinxhiri i tillë nuk do të ndalet këtu edhe pse Veriu i Italisë ka synime të tilla. Këtë politikë duhet ta kuptojë edhe kryeqeveritari Ramush Haradinaj, që ka grumbulluar ministri e zëvendësministra për eksport, se Vetëvendosjen duhet ta kthej në aleat mik, sepse “Demarkacionin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës” që janë sjell si sulltanët me tokën e popullit të Kosovës, Parlamenti i Kosovës nuk do ta votojnë kurrë, nuk do t’i kanë kurrë 80 deputetë, plus 1 votë pro në asnjë variant.
a) Tregtia me tokat shqiptare është bërë kriter tragjik historik
Më 1879 në Konferencën e ambasadorëve të gjashtë fuqive evropiane erdhi në rend dite “dalja e Malit Zi në det”. Propozimi ishte a t’i jepet Boka e Kotorit nën okupimin e Vjenës apo Tivari shqiptar nën okupimin e Perandorisë Osmane. Kuptohet duhej të dënoheshin shqiptarët dhe i “Sëmuri i Bosforit” u largua nga Tivari. Dihet se si u okupua Ulqini më 1881. Me luftë nuk do të okupohej kurrë. Por si të luftohet kundër Anglisë, Francës dhe Stambollit, i cili e kishte shitë jo vetëm këtë lima për ta ruajtur Stambollin nga Peterburgu. Deri kurë?
Dihet se në tetor-nëntor 1912 tri vilajete shqiptare u okupuan nga Fallanga ballkanike në ushtritë e të cilave ishin instruktorë 620 oficerë të lartë evropian. Prej vilajeteve, Kosovën (Shkupin) dhe Manastirin i okupoi Serbia, Janinën e okupoi Greqia. Ndaj Shkodrës Mali i Zi pati aspirata të forta. Shkodra shpëtoi në saje të pazarit të Vjenës, Peterburgut dhe Beogradit, sepse Serbia si shpërblim për t’u larguar Mali i Zi nga Shkodra i fitoi Gjakovën dhe Dibrën, se për ta ‘siguruar paqen në Evropë”, për të cilën shkruan diplomacia Vjeneze prapë: “Marrëveshja ndërmjet fuqive lidhur me kufijtë (verior) të Shqipërisë u arrit pas një përpjekje diplomatike të gjatë e të vështirë. U vendos që bregdeti dhe Shkodra t’i mbeten Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni, Dibra (pas shumë bisedimesh) dhe Gjakova të lihen jashtë Shqipërisë.
Kjo marrëveshje le një pjesë të madhe territorit për t’u ndarë midis Serbisë e Malit Zi si fryt i fitores së tyre. Po a nuk arritën fitore shqiptarët me luftë të drejtë dhe e çliruan tërë Vilajetin e Kosovës dhe Shkupin si kryeqytet? Pse nuk u pranua ky fryt. Jo sepse në Shkup më 26 gusht erdhën një rus, një austriak dhe një francez dhe u kërcuan: “Çfarëdo rezultati të ketë lufta juaj, ndryshim të kufijve të Perandorisë Osmane nuk ka. E pse pati në fund të nëntorit 1912 në favor të Fallangës krishtere ballkaniko evropiane?. Arritja e kësaj marrëveshje ishte esenciale për paqen e Evropës dhe, sipas mendimit tim, ajo u arrit në kohën e duhur për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”. Thotë bindshëm – Eduard Grei më 17 prill 1913, Londër, ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë. Deri kurë këso pazaresh me tokat tona? (Vijon)