Trafik droge nga Shqipëria drejt Kosovës, të përfshirë dy shqiptarë nga Gjakova, dy maqedonas dhe dy serbë

14 nëntor 2023 | 12:44

Një trafik droge nga Shqipëria drejt Kosovës është shpërbërë nga policia.

Si rezultat janë arrestuar dy persona nga Kosova, një nga Maqedonia e Veriut ndërsa tre të tjerë janë në kërkim.

Në pikën kufitare të Qafë Prushit në Kukës, në dalje të Shqipërisë u arrestua 38-vjeçari J. K., banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte u gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Sipas hetimeve të policisë 38-vjeçarit ia kishin dhënë makinën bashkë me lëndën narkotike në Morinë dy persona, G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut, kundrejt pagesës për ta dërguar në Kosovë.

Gjithashtu në këtë trafik droge janë të përfshirë edhe 1 maqedonas dhe dy serbë. Nga njoftimi i policisë po vijon puna për kapjen e tyre në bashkëpunim me policitë homologe.

Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka…