Tragjedi e dyfishtë në Mesdhe, dhjetra refugjatë të vdekur, mbi 50 të zhdukur
Një tjetër tragjedi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Mesdhe ku rreth 50 persona rezultojnë të zhdukur për shkak të përmbysjes së varkës ku po udhëtonin.
Mësohet se varka me vela e cila u përmbys ishte rreth 100 miljë nga bregu i Kalabrisë. Në vendngjarje mbërriti një anije tregtare për të shpëtuar varkën që u përmbys në brigjet e Kalabrisë, duke shpëtuar 12 të mbijetuarit, përfshirë një grua shtatzënë, e cila më pas zbarkoi në Roccella Ionica.
Në port është transferuar edhe trupi i një gruaje që ka humbur jetën pasi ka rënë në det. Refugjatët që udhëtonin në bordin e varkës ishin larguar nga një port nga Turqia.
Ndërkohë anija Nadir shpëtoi 51 emigrantë në bordin e një varke në vështirësi në brigjet e Libisë dhe në jug të Lampedusas. Në varkën jashtë Lampedusas, 10 personat e vdekur ishin në kuvertën e poshtme, e cila ishte plotësisht e përmbytur. Ekuipazhi i OJQ-së evakuoi 51 të tjerët, dy prej të cilëve ishin pa ndjenja.