Tragjedi në një shkollë në Zagreb: Një adoleshent plagos me thikë një mësuese dhe gjashtë nxënës, raportohet se njëri ka vdekur
Një tragjedi e tmerrshme ka ndodhur në shkollën fillore Preçko në Zagreb. Mësojmë se një adoleshent ka plagosur me thikë një mësuese dhe gjashtë nxënës, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë. Sulmuesi dyshohet se ka plagosur veten.
Drejtoresha e spitalit të Klaiqit, Iva Hojsak, tha se dy djem të moshës 11 dhe 7 vjeç janë sjellë me plagë të shumta me thikë, por për fat të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Ajo shtoi se procedura diagnostike është ende në vazhdim, sepse duhet të përcaktohet serioziteti i lëndimeve.
Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrstiq, ka thënë se është e tmerruar nga situata që ka ndodhur në shkollën fillore Preçko.
“Sipas informacioneve që kam nga shërbimet emergjente, gjashtë persona kanë mbetur të lënduar, një fëmijë ka vdekur në terren pas procedurës së reanimacionit. Pesë të lënduar janë dërguar në spital. Në këtë moment të pesë janë jashtë rrezikut, shërbimet janë ende në terren, ndërsa fëmija i vdekur është shtatë vjeç”, tha Hrstiq.
“Në këtë moment po kontrollohet nëse ka potencialisht më shumë të lënduar, të gjithë të lënduarit janë në spitale, kështu që do të vizitoj spitalet ku janë”, tha ajo, raporton HRT.