Tragjedia e sulmuesit Sala, gjenden mbetje të avionit
Hetimet mbi avionin e zhdukur nga radarët, mbi kanalin e La Manshit, në mjetin ku fluturonte futbollisti Emiliano Sala, duket se kanë arritur në një pikë kthese.
Policia bregdetare e Guernseyt, zona britanike që mbulon territorin detar ku dyshohet se ka rënë avioni privat, ka gjetur mbetje që dyshohet se janë të mjetit që transportonte futbollistin e sapoblerë nga Cardiff City.
Sipas medieve angleze janë gjetur dy jastëkë që i përkisnin avionit të vogël, të cilët rrymat detare dhe dallgët i kanë nxjerrë në breg të gadishullit të vogël të Cotentin, në Normandi. Nga krahasimet e bëra, sendet janë të avionit tip “Piper”, në të cilin udhëtonte ish-sulmuesi i Nantes, Emiliano Sala, që pak ditë më parë kishte firmosur një kontratë me ekipin uellsian që militon në kampionatin anglez.
Në bashkëpunim me kërkuesit privatë, hetuesit britanikë kanë bërë të ditur se do të angazhojnë disa mininëndetëse speciale për të gjetur mbetjet e avionit, që dyshohet se ndodhen qindra metra nën sipërfaqe.
Avioni i futbollistit dyshohet se ra në “Hurd’s Deep”, një luginë nënnujore pranë ishullit Alderni, që ka marrë emrin pas një tragjedie para më shumë se 7 dekadash.