
Tragjedia në Koçan, 14 të dyshuar në paraburgim
Gjykata Themelore e Koçanit i ka caktuar masën e paraburgimit afat shkurtër ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, ish-drejtorit të Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski dhe 12 të arrestuarve të tjerë mbi dyshimet se mund të kenë dorë në tragjedinë e Koçanit, përkatësisht në dhënien e licencës për klubin e natës Pulse.
Gjykata ka njoftuar se në përputhje me ligjin në afat brenda tre orëve janë ankuar të gjithë të dyshuarit për masën e caktuar, por këshilli penal në këtë fazë të procedurës i ka refuzuar të gjitha ankesat.
Bekteshi dhe Trajkovski përfshirë edhe ish-sekretaren shtetërore në ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiç-Duroviq janë të dyshuar për licencën të cilën e kishte marrë subjekti “MMM Kafe” në Koçan, emri komercial i të cilit ishte “Klubi Puls”. Dokumenti rezulton i datës 13 mars 2024.
Prokuroria ka kërkuar ekspertizat grafologjike të nënshkrimeve të personave zyrtarë dhënë mbi licencat e klubit për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Ditë më parë ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski është arrestuar pronari jo formal i klubit, shitësi i biletave, katër persona si truproje, drejtuesi i agjencisë për sigurim, pronari i objektit ku ka funksionuar klubi, tre persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, një nga Inspektorati i Punës dhe një person tjetër që ndërlidhet me rastin.
Pas skadimit të afatit për paraburgimin afat shkurtër, Prokuroria duhet të vendosë nëse i vazhdon masën e kujdesit për 30 ditë ose do të mbrohen në liri. Vlerësimin organi i akuzës do të japë mbi bazën e rolit të secilit prej të dyshuarve dhe veprimet e tyre penale në raport me tragjedinë./Alsat-mk