Tragjeditë e Pejës

14 qershor 2021 | 14:00

Gëzim Aliu

(Resmije Kryeziu, “Nën saç”, roman, botoi “Lena Graphic Design”, Prishtinë, 2021)

Pas romanit “Rrota e ujit” (2018), që është dëshmi e mundësive dhe aftësive të saj rrëfimtare, roman që letrarizon shumë ngjarje e histori të Gjakovës, Resmije Kryeziu boton romanin “Nën saç”, përmes të cilit rrëfen e përshkruan tragjeditë e Pejës.

Disa elemente letrare e dokumentare e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative: gërshetimi i rrëfimit të narratorit me mendimet e autores, ngjarjet e historitë që lidhen në tërësi, personazhet, idetë, ambienti dhe gjuha. Përmes këtyre përbërësve autorja e ka krijuar botën e romanit dhe e fton lexuesin të hyjë në të.

Në këtë roman narratori është i realizmit, që zakonisht quhet narrator i gjithëdijshëm. Mirëpo, dihet se asnjë narrator nuk i rrëfen të gjitha, meqë shumë gjëra mbesin të nënkuptuara, në këtë mënyrë edhe kemi rrëfime për storie të ndryshme të caktuara, të përzgjedhura nga autori. Ky tip narratori di shumëçka dhe na e rrëfen atë që e lejon autori i nënkuptuar dhe ka një varg aftësish. Mund të kalojë nga një personazh në tjetrin, mund të futet në mendjen e tyre, në zemrën, në fshehtësitë, mund ta përshkruajë qytetin nga perspektiva e shpendit, por edhe duke ecur rrugëve, mund të lëvizë në kohë, përpara e kryesisht prapa, mund të japë rrëfime paralele, mund ta ndalë një ngjarje për ta rrëfyer një tjetër. Lexuesi, kur futet në botën e rrëfyer, asnjëherë nuk bën pyetje se si ia arrin kjo instancë të bëjë të gjitha këto. Rrëfimi realist ia lejon. Rrëfimi realist zakonisht realizohet përmes këtij tipi të narratorit, rrëfim në vetëne tretë. Ndodh që këtij tipi të narratorit i ndërhyn shpesh autori, sidomos në ide, ideologji, shprehje opinionesh e mendimesh. Të rrëfyerit në romanin “Nën saç” realizohet duke e kombinuar narratorin si instancë teknike dhe autorin e nënkuptuar si instancë ndërhyrëse ideore. Ky kombinim në pjesën më të madhe të romanit të R. Kryeziut nuk e prish baraspeshën artistike.Edhe pse temat për të cilat rrëfehet janë shumë të ndjeshme dhe është e vështirë të mos ndodhë përfshirja e thellë autoriale, Resmije Kryeziu arrin ta ndërtojë artistikisht rrëfimin për ngjarje e histori që kanë ndodhur vërtet. Është e vështirë të rrëfehet për dhunën, torturat, vrasjet, krimet, përzëniet, pa emocion. Meqë qëllimi primar në këtë roman është pikërisht rrëfimi për tragjeditë e Pejës, edhe prania e emocionit letrar është natyrisht e justifikueshme, madje e nevojshme. Pa shprehjen e emocionit autorial, nuk do të arrihej as përfshirja e lexuesit. Duhet thënë se ngjarjet e historitë që rrëfehen në këtë roman janë prekëse, tronditëse.

Element qendror i këtij romani janë ngjarjet e historitë e rrëfyera. Romani fillon me personazhin kryesor, Halitin, pastaj degëzohet nëpër ngjarje e histori të tjera, për t’u kthyer sërish te Haliti, rrëfimi për të cilin mbulon gjysmën e dytë të romanit. Pra, romani në të vërtetë është me dy pjesë, sado që nga ana e jashtme formale nuk është i ndarë. Në pjesën e parë, rrëfehen shumë tragjedi që u kishin ndodhur pejanëve pas Luftës së Dytë dhe okupimit nga komunistët serbë. Ndërkaq, në gjysmën e dytë të romanit, rrëfehet në detaje dashuria e Halitit e Lumes, i pari muzikant, e dyta matematikane. Narratori përcjell çdo detaj të jetës së tyre, takimet, bisedat e këndshme, planet për të ardhmen, si dhe përfundimin tragjik të jetës së Halit Kasapollit. Kështu, ky roman do të mund të quhej edhe roman biografik, sepse një pjesë e madhe e tij i kushtohet këtij biri të Pejës, kompozitorit të parë, shumë të talentuar, i cili i takonte një familjeje me tradita atdhetare, që kishte pësuar shumë nga okupimi komunist.

Në romanin “Nën saç” hasim dy tipe të personazheve: të skicuar dhe të skalitur. Personazhet e skicuar janë të thjeshtë, ndërkaq të skaliturit, pra personazhet kryesore doemos që duhet të karakterizohen. Në këtë roman një varg personazhesh janë të skicuar, sepse kanë referenca jashtëletrare, i takojnë kujtesës autoriale, tashmë të shndërruar në kujtesë letrare. Pra, autorja thjesht i rindërton me mjete letrare e artistike njerëzit realë të cilët i ka njohur ose për të cilët ka dëgjuar. Mirëpo, rindërtimi i tyre nuk është pa gjak, ata e ato ngjajnë të gjallë dhe natyrisht e luajnë rolin në tërësinë e romanit. Për të bërë skicën e personazheve të tillë përdoren përshkrimi i pamjes dhe rrëfimi për veprimin e pësimin e tyre në ngjarjet e historitë ku përfshihen. Ndonëse të skicuar, dalin të motivuar. Nga personazhet e skalitur, do t’i kisha përmendur Nafiz agën, Sefedin begun, Dervish Kryeziun e natyrisht Halitin e Lumen.

Autorja, siç e thashë pak më lart, e nis romanin me Halitin dhe rrëfimi për të gërshetohet me ngjarje e histori të tjera që lidhen me Pejën e pasluftës së dytë. Ndërlidhja e këtyre ngjarjeve e historive ndërton një mozaik të shlirshëm me qendër jetën e Halitit, nga fëmijë deri në burrërinë e hershme, student i muzikës në Beograd. Derisa në pjesën e parë të romanit, mozaiku ka shumë pjesë përbërëse, në pjesën e dytë mbetet vetëm qendra e romanit, pra Haliti. Shkolla fillore, kur e trajtojnë si fëmijë të familjes armiqësore ndaj shtetit, gjimnazi ku demonstron kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, shfaqja e kultivimi i talentit të tij muzikor, shkollimi në Prizren, në shkollën e muzikës, puna mësimdhënës në një shkollë të Pejës, njoftimi me Lumen, lidhja e tyre, studimet dhe vdekja. Haliti është personazh i ndërtuar në të gjitha planet, edhe përmes përshkrimit të pamjes e veprimeve të tij, edhe përmes analizimit të psikologjisë, ideve, qëndrimeve, dijes. Është personazh i skalitur siç duhet. Prandaj, përfundimi i tij tragjik shkakton dhimbje te lexuesi.

Edhe personazhet e tjerë, edhe personazhi kryesor, përdoren nga autorja për të shprehur qëndrime ideologjike, kombëtare, politike. Megjithatë,baraspesha artistike e romanit mbahet. Duke e pasur parasysh që ky roman ka edhe shumë të dhëna dokumentare, siç e thashë edhe në fillim, ndërhyrjet autoriale janë të kuptueshme.Siç kam thënë edhe për romanin e saj të parë, “Rrota e ujit”, autorja e ka të qartë se të rrëfyerit për njeriun shqiptar nën komunizëm, ngërthen pothuajse domosdo edhe të shprehurit për politikën, ideologjinë, dhunën, vrasjet, terrorin, burgimet, spiunimin, madje edhe bashkëpunimin e disave me pushtuesin.

Në këtë roman me rëndësi janë edhe dy elemente. Po si në romanin e parë, edhe në këtë roman, autorja i kushton rëndësi të posaçme përshkrimit të ambientit. Kemi përshkrime të shtëpive pejane, të rrugëve e rrugicave, të dyqaneve, tempujve, bjeshkëve, Drinit. Ndërlidhur me ambientin është gjuha. Sa i përket përdorimit të gjuhës, autorja zgjedh mënyrën siç e ka ndërtuar romanin e parë: kemi përdorimin e standardit kur ‘flasin’ narratori e autorja e nënkuptuar, derisa kemi përdorimin e të folmes së Pejës kur ‘flasin’ personazhet. Autorja ua jep shpesh fjalën personazheve, prandaj edhe përdorimi dialektor është i pranishëm në masë të madhe, çfarë ia shton romanit një natyrshmëri ligjërimi, që për pejanët sigurisht do ta bëjë edhe më të afërt.

Romani “Nën saç” është për Pejën, për tragjeditë e Pejës, për njerëzit e Pejës, vuajtjet e tyre, por edhe qëndresën e krenarinë e tyre. Ndonëse me idetë e veta, ky roman natyrisht që e kapërcen qytetin e krahinën që u është kushtuar, jam i sigurt qëpikërisht pejanëtdo ta shijojnë më shumë. Po sikur gjakovarët me romanin “Rrota e ujit”, besoj që edhe pejanët do të ndihen mirë që tashmë ekziston një roman për qytetin e tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ‘erë të re’ në marrëdhëniet SHBA-Turqi, pret presidenti turk…