‘Trainkos’-i kalon në ‘Vala’
240 punëtorë sa ka kompania publike “Trainkos”, nga janari i vitit të ardhshëm do t’i përdorin numrat e “Vala”-s.
Një gjë e tillë është mundësuar të enjten falë nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e zëvendëskryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina dhe kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Trainkos”, Gelor Shala.
“Fakti që deri më sot personeli i kësaj ndërmarrje ka përdorur numrat e një operatori tjetër konkurrent dhe tash e tutje do t’i bashkëngjiten ‘Vala’-s, tregon më së miri se shërbimet dhe atraktiviteti i produkteve tona janë gjithnjë e më tepër duke u mirëpritur nga shumë institucione, ndërmarrje dhe biznese private dhe gjithashtu edhe nga konsumatorë të rinj”, ka thënë Kiqina.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i “Trainkos”-it, Gelor Shala , ka bërë me dije se stafi që ai udhëheq do të ketë lehtësime dhe përparësi të tjera të komunikimit.
“Ne tash e tutje përmes ‘Vala’-s do të kemi shumë mundësi teknike jo vetëm për të lehtësuar komunikimin tonë, por edhe për të kryer më shumë punë përmes internetit të shpejtë dhe mundësive tjera që ofron ‘Vala’”, ka thënë Shala.
Marrëveshja e nënshkruar nga Kiqina dhe Shala dëshmon përkushtimin e Telekomit të Kosovës për të plotësuar në vazhdimësi nevojat e të gjithë konsumatorëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e telefonisë mobile, fikse, internetit të shpejtë dhe IPTV-së.
/Epoka e re/