Trajektorja e asteroidit/ Studiuesit shpjegojnë arsyet që çuan në dimrin global 66 milionë vjet më pare
Rreth 66 milionë vjet pas asteroidit që goditi Tokën, studiuesit kanë një panoramë më të qartë të asaj pse ky ishte eventi më katastrofik në historinë e planetit. Objekti hapësinor shfarosi 75% të të gjitha specieve, përfshirë edhe dinosaurët.
Kjo ndodhi sepse ai goditi vendin më të keq të mundshëm në planet dhe – sipas hulumtimeve të reja – në këndin më vdekjeprurës.
Hulumtimet në vendin e kraterit, së bashku me simulimet kompjuterike, sugjerojnë që asteroidi pati një impakt të madh në momentin e rënies dhe ra në sipërfaqe në këndin 60 gradë. Kjo solli menjëherë pasoja klimatike.
Ne e dimë se zona ku ra asteroidi, ajo është tani Gjiri i Meksikës, përmban vëllime të mëdha squfuri nga gipsi mineral. Kur ky material u ngrit lart në hapësirë dhe u përzie me avujt e ujit, prodhoi një “dimër global”. Dhe ishte pikërisht këndi i rënies ai që bëri që kjo krizë mjedisore të ishte e fortë dhe e zgjatur.
“Në 45 deri në 60 gradë, ndikimi është shumë efikas në avullimin dhe nxjerrjen e mbeturinave në lartësi të madhe. Nëse impakti ndodh në kënde të cekët ose shumë më të pjerrëta, sasia e materialit që ngrihet në atmosferë dhe që mund të ketë efekte ndryshuese të klimës është dukshëm më e vogël”, shpjegon Prof Gareth Collins nga Imperial College London.
“Është e qartë se natyra e vendndodhjes ku ndodhi ky event, së bashku me këndin e goditjes, krijoi kushtet për një stuhi të përsosur,” i tha ai BBC News.
Pas këtij eventi katastrofik për Tokën, shumica e bimëve dhe kafshëve në Tokë iu nënshtruan kushteve sfiduese klimatike. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën “Nature Communications”.
Vendi i impaktit me gjerësi rreth 200 km është në gadishullin Jukatan të Meksikës.
Objekti, që mendohet të ketë pasur një diametër 12 km, hapi një krater diku rreth 30 km të thellë.
Studiuesit kanë kryer një sërë simulimesh dhe kanë arritur në konkluzionin se e vetmja mënyrë për të riprodhuar gjeometrinë e kraterit është ajo e hyrjes së asteroidit nga verilindja dhe goditja e Tokës në një kënd prej afro 60 gradë.
Në funksion të studimit janë përdorur shpimet që janë bërë në krater në vitin 2016 për të rikuperuar disa prej shkëmbinjve për analizë. Një studim sizmik me rezolucion të lartë, do të bëhet në fund të kësaj vere dhe do të japë një pamje 3D të strukturës.