Trajkoviq: Dorëheqja e Haradinajt e ka shtyrë kohëzgjatjen e taksës
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Kosovë dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka shtyrë kohëzgjatjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, vendosi tarifën ndaj mallrave serbe, duke bërë që Beogradi të anulojë pjesëmarrjen në bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovën, që po zhvilloheshin me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e fuqishme për refuzimin e heqjes së taksës dhe unë nuk shoh ndonjë mundësi të pezullimit të saj në këtë kohë”, ka thënë Trajkoviq për të përditshmen “Danas”, transmeton “Rel”.
Ajo ka deklaruar se në pranverën e vitit të ardhshëm janë zgjedhjet në Serbi “kështu që nuk do të ketë përparim serioz në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të qershorit (2020)”.
Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, të premten, pasi kishte pranuar ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai ka kundërshtuar heqjen e taksës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.