Trajkoviq: Kam informacione se janë vrarë më shumë se tre serbë
Rada Trajkoviq, kryetare e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve ka thënë se në veri të Kosovës po zhvillohet një “luftë e pamëshirshme” dhe se Beogradi nuk ishte i befasuar nga sulmi i së dielës, por e pa se “aksioni nuk ishte i përgatitur sa duhet dhe se do t’i shkaktonte një goditje të madhe Beogradit”.
“Prandaj kishte heshtje, prandaj të gjithë hoqën dorë nga serbët nga Kosova, fjalë për fjalë i lanë të vetëm”, citohet të ketë thënë Trajkoviq për ngjarjet në veri të Kosovës në fshatin Banjskë, shkruajnë mediet serbe.
“Sot kemi tre serbë të vrarë, ka zëra për më shumë, kam informacione që thonë se ka më shumë”, citohet të ketë thënë më tej ajo.
Madje, sipas saj, ka shumë gjasa që përfaqësuesit ndërkombëtarë në thelb kanë ndihmuar në nxjerrjen e njerëzve që ishin të vendosur të luftonin deri në fund.
Në këtë drejtim, ajo ka bërë një pyetje për kryeministren serbe, Ana Brnabiq se pse projektet më fitimprurëse ua jep Milan Radoiçiqit dhe Zvonk Veselinoviqit.
Ata, siç thotë ajo, “kanë fuqi financiare për të furnizuar njerëzit me uniforma, armë dhe mjete të blinduara jashtë shtetit”. Ndryshe, Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga grupe kriminale në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku, një tjetër polic u plagos dhe një u lëndua. Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në manastirin në Banjskë. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen por ata vazhduan me sulme ndaj policisë.
Policia njoftoi gjatë ditës së diel, se janë vrarë tre sulmues, si dhe ka arritur të arrestojë dy sulmues, dhe katër persona tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë në sulmin terrorist.