Trajkoviq: Po përgatitet arrestimi i Radoiçiqit, Beogradi kërkon material për Banjskën nga Kosova

14 gusht 2024 | 10:52

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se Beogradi zyrtar ka pranuar kushtin e presidentit francez Emmanuel Macron për ardhjen në Serbi dhe se po përgatitet arrestimi i Millan Radoiçiqit.

“Lajmi i ri është se gjyqësori, prokuroria dhe autoritetet e Serbisë kanë kërkuar zyrtarisht materiale nga organet e Kosovës për Banjskën dhe se do të përgatisin seriozisht arrestimin e Radoiçiqit. Vuçiqi ka pranuar këtë” ka thënë Trajkoviq për median N1.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk heq dorë nga hapja e paralajmëruar e urës mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në pjesën jugore (shqiptare) dhe veriore (serbe) të qytetit”. Trajkoviq ka theksuar se po afrohet përvjetori i Banjskës dhe se Kurti dëshiron të tregojë se çfarë ka arritur për një vit.

Ajo ka pretenduar se qeveria e Kosovës në krye me Kurtin “e bëri veriun e Kosovës një zonë policore-ushtarake, në të cilën nuk ka administratë civile”.

Ajo ka thënë se kjo është koha e dëbimit të të gjitha institucioneve serbe nga Kosova dhe se “popullata po largohet bashkë me institucionet”.

Ajo ka shtuar se forca e serbëve dhe rezistenca e tyre është zbehur me largimin e Radoiçiqit nga Kosova dhe ne njerëzit që ai mori me vete. “Me largimin e institucioneve largohen edhe qytetarët. Me largimin e Radoiçiqit, i cili për 10 vjet kishte një pushtet të papërshkrueshëm mbi serbët dhe që ishte kryesisht në funksion të maltretimit dhe keqtrajtimit të serbëve… tërheqja e atyre njerëzve me Radoiçiqin dhe vrasja e tre personave ka zvogëluar forcën e rezistencës së qytetarëve të veriut”, ka thënë Trajkoviq.

Kur është fjala për qeverinë në Beograd, Trajkoviq thotë se Aleksandar Vuçiq do të shënohet në historinë serbe si njeri që ka punuar aktivisht për largimin e të gjitha institucioneve serbe nga Kosova.

“Ai do të jetë pjesë e historisë më të turpshme serbe”, ka thënë Rada Trajkoviq për presidentin serb.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën në Klinë vjehrra dhe vjehrri e kanë raportuar…