Trajkoviqi: Gruaja e Ivanoviqit po e mbron Vuçiqin nga hetimi për këtë vrasje
Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka thënë se roli i Milena Popoviq, gruas së ve të politikanit të vrarë nga Kosova, Oliver Ivanoviq, është që ta mbrojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga hetimi për vrasje.
“Ajo nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta sjellë Vuçiqin më afër hetimit. Ajo nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e Vuçiqit”, i ka thënë Trajkoviqi gazetës serbe, “Danas”.
Duke komentuar deklaratën e Milena Popoviq, e cila është gjithashtu anëtare e Partisë Progresive Serbe në Parlamentin serb, se nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Milan Radoiçiq duhet ta provojë pafajësinë e tij në vrasjen e Ivanoviqit, Trajkoviqi ka thënë se Popoviqi ishte “në funksion të lirimit të Radoiçiqit dhe biznesmenit serb nga Kosova, Zvonko Veselinoviq”.
Trajkoviqi ka theksuar se roli i “Beogradit zyrtar” ishte “shumë i madh që nga dita e vrasjes” dhe shtoi se media pranë autoriteteve bëri gjithçka “për të devijuar hetimin në një drejtim tjetër”.
Milena Popoviq, gruaja e ve e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, ka theksuar se ajo e respekton presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe partinë që i përket. Ajo ka thënë se e ka lëshuar sallën e Kuvendit serb vetëm sepse Radoiçiqi ishte i pranishëm aty.
“Ajo që unë e di është më se e mjaftueshme për të mos u ulur në të njëjtën dhomë me të. Do ta përfundoj me kaq”, ka thënë Popoviqi për “Nedeljnik”.
Lidhur me deklaratën e Trajkoviqit, se ajo nuk do ta kishte bërë atë veprim pa u konsultuar me Vuçiqin, ajo ka thënë se nuk është e vërtetë.
“Ne biseduam pas kësaj. Unë kam të drejtën e pozitës dhe mendimit tim dhe ai e respekton atë. Unë jam një grua e ve. E bëra ashtu siç u ndjeva në atë kohë”.
“Unë do t’i kërkoja asaj që ta ndalonte mbledhjen e poenëve politikë përmes meje dhe në atë mënyrë të kthehej në skenën politike. Ajo është personi i fundit në botë që ka të drejtë ta bëjë këtë. Ajo e di shumë mirë pse”, ka thënë Popoviqi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, Popoviqi ka thënë se ajo i njeh Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin për 20 vjet.
“Unë i njoh prej 20 vitesh. Mitrovica është një qytet i vogël dhe të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Mendoj se pas gjestit tim të fundit, për të gjithë është e qartë se çfarë mendoj për Radoiçiqin”, ka thënë Popoviqi.
Siç ka deklaruar ajo, ajo mbetet në Partinë Progresive Serbe dhe gjesti i saj nuk e ndryshoi orientimin e saj politik.