Trajkoviqi hedh akuza ndaj Vuçiqit: Barrikadat u ngritën nga grupi mafioz i Radojiçiqit
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe këshilltarja e Qeverisë së Kosovës, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe është “leva kryesore e fuqisë shkatërruese” të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ajo ka vlerësuar se Vuçiqi nuk do të imponojë kurrë sanksione ndaj Rusisë.
Trajkoviqi ka thënë se Vuçiq në vend të Perëndimit e ka kthyer Serbinë drejt Rusisë, kështu që sot ajo është më larg BE-së se kurrë.
“Fatkeqësisht, leva kryesore e fuqisë shkatërruese të Vuçiqit është Kisha Ortodokse Serbe, e cila së bashku me Kishën Ruse po destabilizojnë me sukses rajonin”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo ka akuzuar patriarkun e kishës Porfiririje për përmbushjen e urdhrave politike të Vuçiqit.
Sipas saj, barrikadat në veri të Kosovës së fundmi janë ngritur nga “grupi mafioz i Milan Radojiçiqit”, raporton “N1”.
Për Trajkoviqin, nëse Beogradi nuk jep një deklaratë përfundimtare për Rusinë, Kosova do të marrë gjithnjë e më shumë mbështetje nga NATO, do të forcohet dhe do të investojë në potencialin ushtarak të Kosovës.
Trajkoviqi ka thënë se Vuçiq nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë.
Ajo e ka akuzuar ndër të tjera Vuçiqin se është “një njeri që lufton vetëm për veten e tij” dhe se nuk kujdeset për Serbinë.