Trajkoviqi: Po m’i kërcënojnë edhe fëmijët, përgjegjësinë e ka Aleksandër Vuçiqi
Politikania serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, që kundërshton pushtetin në Serbi dhe Listën Serbe në Kosovë, e ka bërë përgjegjës presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për sigurinë e saj dhe të familjes së saj, që siç ka thënë ajo është në rrezik.
Trajkoviqi ka thënë se janë duke ia kërcënuar edhe fëmijët e saj.
“Një tjetër njoftim për publikun: që nga dje kanë ardhur kërcënime jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi”, ka shkruar Trajkoviq në “Twitter”.
Ajo ka thënë se është identifikuar vendndodhja e kërcënuesve të saj dhe familjes së saj.
Për këto kërcënime ajo përgjegjësinë ia ka lënë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Le të shkruhet këtu: përgjegjësia e plotë për sigurinë e familjes sime dhe të vetes është e presidentit të Serbisë”, ka thënë Trajkoviq.
Ndërsa pushteti në Serbi vazhdimisht e akuzon Trajkoviqin për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.