Trajnerët kërkojnë nga FFK-ja më shumë lojtarë në bankën rezervë 

18 gusht 2021 | 12:00

Superliga e Kosovës kthehet në aksion në fundjavë, ndërsa rregulli për pesë zëvendësime do të vlejë edhe këtë sezon. Por trajnerët për një ndeshje kanë të drejtë të regjistrojnë në protokoll vetëm 18 futbollistë. Trajnerët e Superligës, Bekim Isufi, Ardian Nuhiu dhe Armend Dallku, për “Gazeta Olle” kanë shprehur mendimin që numri i lojtarëve në bankë duhet të rritet.

Bekim Isufi, i cili do ta drejtojë Ballkanin këtë sezon, ka thënë që kjo është shumë e nevojshme. “Patjetër që duhet të aplikohet numër më i madh i lojtarëve në bankë, duke e ditur se kemi 5 zëvendësime dhe kjo është e nevojshme. Duhet medoemos të zgjerohet numri i lojtarëve në bankën rezervë”, ka thënë Isufi.

Edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, shpreh mendim të njëjtë. Ai ka thënë që me shtimin e numrit të lojtarëve shumë lojtarë do të ishin më afër skuadrës. “Mendoj se duhet të rritet numri i lojtarëve në protokoll. Në momentin që i ke të gjithë futbollistët në stol, ke më tepër mundësi ndryshimi, sepse asnjëherë nuk e di se loja çfarë kahu mund të marrë”, ka deklaruar Nuhiu. “Kjo do të ishte mirë edhe të mos ndash lojtarët nga grupi por, thjesht, ta ndiejë çdo moment të lojës afër bashkëlojtarëve apo edhe të presin mundësinë për ta ndihmuar ekipin. Çdo futbollist është pjesë e rëndësishme e skuadrës”, ka ka shtuar Nuhiu.

Se numri i lojtarëve në bankë duhet të rritet nga 18 në 21, apo 22, ka thënë edhe trajneri dhe ish-futbollisti i njohur Armend Dallku. “Unë jam për rritjen e numrit të futbollistëve në bankën rezervë, pasi që kemi drejt t’i bëjmë 5 zëvendësime. Pse të mos na jepet mundësia të kemi numër më të madh në bankën rezervë”, ka thënë Dallku. Me shtimin e numrit të lojtarëve në bankën rezervë, do t’u jepet mundësi më e madhe talentëve që të jenë afër ekipit, pse jo që në pjesën e dytë edhe të inkuadrohen në lojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Mehdi Hyseni Prandaj, të gjithë ata liderë politikë dhe…