Trajnerët: Viti 2017, më i miri në futboll
Disa nga trajnerët e futbollit në Kosovë e kanë vlerësuar vitin 2017 si ndër në të mirët pasluftë në sportin më të popullarizuar në botë, futbollin.
Trajneri i llapit, Tahir Batatina, ka thënë për “KosovaPress” se viti 2017 ka qenë ndryshe dhe më pozitive në krahasim me vitet e tjera, pasi me pjesëmarrjen e skuadrave tona në kupat evropiane, tashmë është organizimi dhe cilësia është më e mirë. “Mendoj se ky vit ka qenë më ndryshe nga vitet e tjera pas pranimit në instancat më të larta, pjesëmarrja e dy skuadrave tona në garat evropiane e ka shtuar interesimin dhe është rritur cilësia e futbollit në Kosovë. Të gjitha skuadrat mendoj se kanë e bërë punën e tyre adekuate, ka rivalitet më të madh te të gjitha skuadrat duke e parë diferencën e ngushtë me pikë të të gjitha skuadrave dhe kjo tregon se cilësinë e skuadrave në nivelin më të lartë. Mendoj se prej përfundimit të luftës ky është kampionati më interesant”, ka thënë Batatina, i cili beson se cilësia do të vazhdojë të rritet edhe më shumë.
Sikurse Batatina, edhe trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, është i mendimit se në futbollin e Kosovës ka përparime të mëdha. “Ka përparime në futbollin e Kosovës. Fakti se jemi pranuar në instancat evropiane dhe botërore të futbollit, interesimi është nëpër klube për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare. Përparim shoh edhe në disa sekuenca të lojës të cilat janë shfaqur dhe dokumentuar përmes statistikave të ndryshme. Ato ekipe që kanë pasur marrëveshje me kompanitë e ndryshme të statistikave e dëshmojnë këtë fakt. Qarkullimi i topit është shumë më i madh sesa në vitet e kaluara. Shpejtësia e transformimit prej fazës në fazë është më e madhe. Vrapimi është përmirësuar dukshëm. Do të thotë distancën që e përshkojnë lojtarët e Superligës është më e madhe, numri i topave të humbur në fazën e mbrojtjes është më i vogël, numri i fituar i topave në mesfushë është më i madh, të gjitha këto i kam të dokumentuar më fakte”, ka theksuar Morina.
Edhe trajneri mitrovicas Gani Sejdiu është i bindur se futbolli i Kosovës ka avancuar përpara. Sipas tij, pranimi i skuadrave tona në kupat evropiane ka bërë që klubet të jenë më të organizuara në krahasim me vitet e kaluara. “Është konkludim i të gjithëve se këtë vit futbolli ka përparime në të gjitha aspektet. Ky konkludim ka dalë edhe në takimin e fundit që kishim ne trajnerët në Federatën e Futbollit të Kosovës. Pjesëmarrja e skuadrave në Evropë ka bërë që klubet të riorganizohen më mirë në gjitha aspektet. Kampionati është ndër më të mirët pasi që tashmë konkurrenca është shumë më e madhe. Dalja në Evropë ka bërë që të organizohen më mirë, sepse në këtë mënyrë po shpaguhet investimi i bërë nga klubet”, ka thënë Sejdiu.