Trajneri i Cardiffit: Mendoj vetëm për Emiliano Salën
Cardiff City do të zbresë në fushë sonte kundër Arsenalit në transfertë. Ekipi uellsian do të tentojë të sigurojë pikë për garën e mbijetesës, por mbi të gjitha për Emiliano Salën.
U mendua se sulmuesi argjentinas do të ndihmonte Cardiffin të qëndronte në Premier Ligë më golat e tij, por tashmë të gjithë bashkë nuk po arrijnë të ndihmojnë sulmuesin… të paktën për të gjetur trupin e tij dhe për t’iu dhuruar familjarëve mundësinë për t’i bërë nderimet e fundit dhe për të pasur një vend ku ta qajnë dhe “bisedojnë” me të sa herë që malli bëhet i padurueshëm.
Nil Uornok trajnon prej 40 vitesh, por nuk është ndjerë kurrë me keq në karrierë. 70-vjeçari anglez e vuan më shumë se të gjithë zhdukjen e Salës. Ai kishte biseduar gjatë me të dhe kishte arritur ta bindë për të zgjedhur ekipin e tij.
Në një prononcim për “The Sun”, trajneri i Cardiffit flet me lot në sy për lojtarin, të cilin nuk e stërviti kurrë. Uornok tregohet i sinqertë dhe e pranon se ka menduar të largohet nga futbolli. Ai ka biseduar gjatë me djemtë e tij, disa prej tyre e kanë përjetuar shumë keq zhdukjen e shokut të ri të skuadrës dhe në ekipin uellsian ka vetëm heshtje dhe shumë dhimbje.
“E kam të pamundur të fle gjumë. Jam prej 40 vitesh pjesë e futbollit, por kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë java më e vështirë e karrierës time. Nuk arrij ta kuptoj këtë situatë dhe kam menduar të tërhiqem. Ka qenë një javë e tmerrshme dhe nuk ka një moment që nuk mendoj për të. Ngjarja e Salës më ka prekur më shumë se çdo gjë tjetër. Mbes pa fjalë kur shoh Rominën, motrën e Emilianos, dhe gjithë familjen e tij, dhe gjithçka bëhet e ndërlikuar. Vazhdoj t’i shoh fëmijët e mi, dhe pyes veten çfarë do isha duke bërë në vend të tyre. Kur ka njerëz të tjerë vërdallë jam OK, por kur jam vetëm në shtëpi e mendoj këtë gjë”, ka thënë ai.
“Jam takuar me djemtë e ekipit dhe kemi biseduar gjatë së bashku. 3-4 prej tyre e kanë përjetuar shumë keq këtë histori dhe ndodhen në një situatë të vështirë psikologjike. E kisha takuar më parë Emilianon dhe kam biseduar disa herë me të në javët e fundit. E di shumë mirë se me sa dëshirë po e priste nisjen e aventurës me ekipin tonë. Vazhdoj ta quaj atë Emile, sepse nuk arrija t’ia shqiptoja saktë emrin. Gjatë takimeve tona më thoshte se ‘do të shënoj shumë gola’, ndërsa unë i përgjigjesha ‘e di që do ia dalësh’. Nuk e harroj kurrë kur e ftova të vinte për të ndjekur ndeshjen tonë në Newcastel, por ai më tha që dëshironte shumë të kthehej për të përshëndetur për herë të fundit shokët e tij te Nantes. Në një botë ideale, nuk besoj se do të dëshiroja të zhvilloja më ndeshje dhe nuk do të doja të isha më trajner, pasi ashtu e ndjej në këto momente. Futbolli është i rëndësishëm, por besoj se tragjedi të tilla ta ndryshojnë shumë perspektivën e të jetuarit”, ka deklaruar trajneri i Cardiffit.