Trajneri i Drenicës: Mezi pres të shkoj t’i kap me grushte dhe shqelma lojtarët
Trajneri i Drenicës Bledar Devolli ka thënë se mezi pret të shkoj në dhomën e zhveshjes për t’i kapur me grushte dhe shqelma lojtarët e tij.
Ai ka thënë se lojtarët e tij ende nuk e dinë forcën që kanë si ekip. Drenica ishte duke fituar deri në minutën e 83-të 3:1. Por, skuadra e Llapit shënoi fillimisht e Engjëll Hotin (83’) dhe më pas me Ahmed Januzin (87’) për ta barazuar rezultatin në 3:3, rezultat me të cilin edhe përfundoi takimi i javës së 24-t i Superligës së Kosovës në futboll.
“Mezi pres të shkoj në dhomën e zhveshjes t’i kap me grushte she shqelma. Më vjen inat që nuk e dinë ende forcën që kanë. Jo gjithkush i jep tre gola ndaj Llapit. Jam i kënaqur me shumë gjëra, siç jam i pakënaqur me disa aspekte me topa të kthyer dhe gjuajtjet standarde. Me punë dhe stërvitje të mundohemi të marrim sa më shumë pikë për të siguruar më shpejtë mbijetesën. Nuk ishim gabim në ndërrime, por në vendosjen lojtarëve”, ka thënë Devolli pas ndeshjes.
Drenica është në vendin e parafundit me 25 pikë, kurse Llapi mban vendin e shtatë me 27 pikë.