Trajneri i Dritës: E rëndësishme që vazhduam me serinë e fitoreve
Drita ka marrë fitore shumë të rëndësishme nga udhëtimi në Podujevë përballë Llapit.
“Bardhekaltërtit” nga Gjilani triumfuan me rezultat minimal 1-0 falë një goli nga Almir Ajzeraj në fund të ndeshjes.
Trajneri i Dritës, Akis Vavalis është shprehur shumë i lumtur me tre pikët e fituara në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.
“Fitore shumë e rëndësishme. Për mua secila fitore është e rëndësishme. Ndaj Llapit, në derbi, është fitore edhe më e rëndësishme. Në këtë moment më e rëndësishmja është që fituam tri pikë dhe që vazhduam serinë pozitive”, ka thënë Vavalis.
Vavalis tha se është dashur të krijojnë më shumë raste, por që në këtë takim as nuk janë rrezikuar shumë dhe e rëndësishme ishte mos të pësojnë gol.
“Është dashur të krijojmë më shumë. Por as nuk jemi rrezikuar shumë. E rëndësishme ishte që të mos pësojmë, pasi e kemi ditur se kemi kualitetin për të shënuar gol”, ka deklaruar Vavalis.
Me fitoren e sotme, Drita ngritët në pozitën e dytë në tabelë me 21 pikë, dy më pak se lideri Ballkani.