Trajneri i Francës: Do ta gjejmë një mënyrë për t’i shënuar Marokut
Kampionia në fuqi e botës, Franca nesër e sfidon befasinë më të madhe në këtë botëror, Marokun.
Trajneri Didier Deschamps foli në konferencën e zakonshme për shtyp ku theksoi se skuadra e tij do ta gjejë një mënyrë për t’i shënuar Marokut që deri tani ka pësuar vetëm një gol.
“Si t’i shënojmë Marokut? Do ta gjejmë një mënyrë, e di që ata kanë kapacitetin për t’u mbrojtur mirë dhe ky është një fakt që e kanë provuar në këtë Botëror. Objektivi jonë është t’i vendosim në vështirësi. Sa i takon skuadrës sime, ajo nuk më surprizon edhe pse për shumë lojtarë është kompeticioni i parë madhor dhe nuk e dija si do të reagonin nga ana emocionale”, ka thënë Deschamps.
“Ne nuk ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje dhe synimi është të jemi për pjesën më të madhe të kohës në zotërim të topit për të qenë të rrezikshëm dhe për të shënuar. Nuk mjafton vetëm kualiteti i futbollistëve dhe nuk ka një recetë për të bërë mrekullitë, duhet t’i përshtatemi kundërshtarit për të fituar në fund”, u shpreh Deschamps.