Trajneri i Islandës e vlerëson Kosovën si një kundërshtar të vështirë

22 nëntor 2024 | 14:14

Trajneri i Islandës, Age Hareide, ka vlerësuar lartë potencialin e Kosovës, ndërsa shortin e ka cilësuar si tejet të vështirë.

Kosova dhe Islanda, do të përballen në plejofin e Ligës së Kombeve, saktësisht për inkuadrim në Ligën B të kësaj gare.

Në kampanjën e fundit të Ligës së Kombeve, Kosova doli e dyta në grupin e saj të ligës C kurse Islanda përfundoi e treta në grupin e ligës B.

Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve do të luhet më 20 mars të vitit të ardhshëm në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit pas tri ditësh në Islandë.

“Nuk ka diferencë të madhe ndërmjet shumicës së skuadrave të Ligës B dhe C. Për ne është e rëndësishme të qëndrojmë në Ligën B dhe për ta arritur këtë, duhet t’i bëjmë dy paraqitje të mira ndaj një kundërshtar të vështirë. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe shpresoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për këto ndeshje të marsit”, ka thënë Hareide.

Kosova dhe Islanda janë përballur edhe në kualifikimet për Kupën e Botës 2018, ku në të dyja këto ndeshje, “Dardanët” kanë pësuar humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pamundësi të asgjësimit, një numër i konsiderueshëm i barnave…