Trajneri i Kosovës: Ballkani ka një skuadër pak mbi mesataren
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha në një intervistë dhënë për mediumin kroat “Index.hr” ka komentuar ndeshjen Ballkani – Dinamo Zagreb, e zhvilluar në Prishtinë, javë më parë në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.
Siç dihet Ballkani triumfoi 2-0 kundër gjigantit kroat të futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gliha gjatë intervistës u pyet për “debaklin” që pësoi Dinamo Zagreb në kryeqendrën e Kosovës nga Ballkani.
Derisa po e komentonte humbjen e Dinamos, Gliha gjatë vlerësimit për Ballkanin ka thënë se ata janë ekip me cilësi pak mbi mesataren. “Sigurisht, as për mua nuk është surprizë. Edhe para ndeshjes kam thënë se Dinamo do të ketë probleme të mëdha. Pikërisht për atë 1 përqindëshin e famshëm që përmend gjatë gjithë kohës. Sapo nënvlerësoni kundërshtarin tuaj sot, keni mbaruar. Dinamo nuk ka më as Boban, as Prosineckin, kështu që nëse do të mund të shkonin atje dhe të thonë se do ta fitojnë lehtësisht ndeshjen”, ka deklaruar Gliha për “Index.hr”.
“Ata kanë një skuadër pak mbi mesataren. Sot, vështirë se mund të gjesh një lojtar që mund ta zgjidhë lojën vetë. Sot futbolli nuk praktikohet më si dikur, individualisht. Për mendimin tim, gabimi më i madh i futbollit të sotëm është se lojtarët nuk stërviten më për pozicione individuale si dikur, dhe se individualiteti dhe klasi i tyre individual janë mbytur”, ka theksuar trajneri i Kosovës.
Primoz Gliha ka qenë vazhdimisht prezent në ndeshjet e Ballkanit në garat evropiane. Madje, ai ftoi dyshen e Ballkanit, Qëndrim Zybën dhe Lumbardh Dellovën në grumbullimin e fundit me Përfaqësuesen e Kosovës në muajin tetor.