Trajneri i Legias kritikon fushën e rinovuar të “Fadil Vokrrit”: Ishte e vështirë për ta lëvizur topin
Trajneri i Legias së Varshavës, Goncalo Feio e ka kritikuar fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Ndonëse e rinovuar rishtazi, Feio pati kritika të mëdha për fushën në Prishtinë, pas fitores së mbrëmshme 0:1 ndaj Dritës në play-offin e Ligës së Konferencës.
“Nuk e prisja që fusha të kishte një ndikim kaq të madh në rrjedhjen e ndeshjes. Duke parë skuadrën time, pyesja vetën nëse kishim bërë gjënë e duhur në stërvitje në Poloni, sepse vërtetë nuk mund ta përballonim fushën. Ishte e vështirë për të lëvizur topin, kjo është diçka për të menduar. Ishte një ndeshje në një teren të vështirë, kishte kushte jo të mira. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ngarkesa e nyjeve të futbollistëve pas një ndeshje në një fushë të tillë është më e madhe, duhet të kemi kujdes”, u shpreh Feio.
Kujtojmë se stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që plotëson standardet e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.