Trajneri i Prishtina 01: Pres sukses edhe në grupet e Ligës së Kampionëve të futsallit
Klubi i Futsalli, Prishtina 01 ka arritur edhe një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare duke u kualifikuar në fazën e Elite Raund të Ligës së Kampionëve.
Kampioni i Kosovës do të përballet me dy ish-kampionët e Ligës së Kampionëve në futsall, Benfica dhe Kairat, dhe sllovenët e Dobovec, 6 herë kampion në Slloveni.
Për ta arritur këtë sukses, trajneri Haki Ahmeti thotë se kaluan nëpër një rrugë të vështirë, por shprehet optimist se skuadra do të bëjë mirë edhe në fazën e grupeve.
Duke folur për KosovaPress, Ahmeti deklaroi se niveli i ngritur i Superligës së Kosovës po bën që skuadra të ketë paraqitje të mira dhe kualitative edhe në garat evropiane.
Sipas Ahmetit, përballja me ekipe të forta në fazën e Elite Raund do të ndihmojë në rrjet e skuadrës, e po ashtu edhe në imazhin e futsallit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë fazë nuk ka ekipe të dobëta dhe kemi dëshirë të takohemi me ekipe të forta për të bërë përvojën tonë sa më të mirë të cilët edhe lojtarët kanë dëshirë të kenë ndeshje shumë më të fortë… Do të rritet imazhi i futsallit dhe iu bëjë apel edhe juve si gazetarë të vini më shpesh dhe të na vizitoni dhe jo vetëm kur kemi kësi lloj fazë të Elite Raund të Ligës së Kampionëve apo ndonjë finale të Kupës.”, deklaroi Ahmeti.
Sa i përket skuadrës, Ahmeti theksoi se është i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion dhe se nuk është duke menduar për përforcime të reja.
Ndeshjet e fazës së Elite Raund do të zhvillohen në Prishtinë nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor.