Trajneri i PSG-së lavdëron Neymarin
Neymari po merr përdore skuadrën e PSG-së këtë sezon, me brazilianin që është shndërruar në lojtarin kyç të kampionëve të Ligës 1.
Në 9 ndeshje të luajtura këtë sezon, ish-sulmuesi i Barcelonës ka arritur të shënojë 10 gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në rezultatet pozitive që parisienët kanë koleksionuar, ndërsa ka asistuar në 7 raste për shokët e ekipit.
Trajneri Christophe Galtier i ka thurur elozhe brazilianit, teksa nuk ka nguruar ta quajë si një nga lojtarët më të mirë në planet.
“Unë gjithmonë e kam konsideruar atë si një nga lojtarët më të mirë në planet, por kam një sy shumë më të informuar dhe më të mprehtë për angazhimin e tij të përditshëm. Këtë e shoh para, gjatë dhe pas seancave stërvitore. Ai është shumë i investuar në nivel personal, por edhe në interes të ekipit. Ai është një profesionist dhe lojtar i madh. Unë e zbuloj atë me kënaqësi çdo ditë”, ka thënë Galtier.