Trajneri i Rubin Kazanit lavdëron Dakun
Rubin Kazan arriti fitore të rëndësishme 2-0 në San Petersburg përballë Zenitit, i cili e kryeson ligën elitare ruse. Dhe, protagonist i ekipit nga Kazani ishte sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, i cili e shënoi golin e parë dhe asistoi në atë të dytë.
Reprezentuesin shqiptar e ka lavdëruar trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, i cili e vlerësoi lartë paraqitjen e ish-futbollistit të Dritës, Llapit e Ballkanit, i cili e kishte një eksperiencë edhe në Kroaci para se të transferohej në Rusi.
“E shihni vetë se si është Daku. Nuk dua ta lavdëroj, por sot ishte me të vërtetë një ndeshje shumë e mirë. E lavdërova tani dhe ai thotë: ‘Faleminderit Zot, të paktën një herë më ke thënë fjalë të mira’. I thashë se nesër do të dëgjonte diçka ndryshe”, ka thënë Rakhimov.
Daku i ka shënuar 6 gola dhe i ka bërë 4 asistime në këtë sezon me fanellën e Rubin Kazanit, ndërsa po mundohet ta mbajë këtë formë për ta bindur trajnerin Sylivnho që ta përfshijë në ekipin e Kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në “Euro 2024”. Daku dha kontribut të çmueshëm në eliminatoret e Evropianit duke i ndihmuar Kuqezinjtë që ta siguronin kualifikimin në garën më të rëndësishme evropiane të futbollit.